PEKIN – Kina mbështet Iranin dhe kundërshton çdo kërcënim ndaj tij

PEKIN, 6 shkurt /ATSH-AFP/ – Kina ka deklaruar se mbështet Iranin në mbrojtjen e interesave të tij dhe përballë çdo forme kërcënimi, sipas një komunikate të publikuar sot nga diplomacia kineze, pak përpara bisedimeve të rëndësishme mes Teheranit dhe Uashingtonit.
”Pekini mbështet Iranin në mbrojtjen e sovranitetit, sigurisë dhe dinjitetit kombëtar si edhe të të drejtave dhe interesave të tij legjitime”, deklaroi zëvendësministri kinez i Punëve të Jashtme, Miao Deyu, gjatë një takimi në kryeqytetin kinez me homologun e tij iranian, Kazem Gharibabadi.
”Kina kundërshton çdo kërcënim të njëanshëm ose përdorim të forcës në marrëdhëniet ndërkombëtare”, theksoi Miao gjatë bisedës me përfaqësuesin iranian, i cili e informoi atë mbi situatën e brendshme në Iran dhe mbi zhvillimet që lidhen me programin bërthamor të Teheranit, thuhet në komunikatën kineze të bërë publike sot./ /Ad.Ab./ a.jor.