E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Kremlini: Bisedimet e fundit për paqen ruso-ukrainase ishin konstruktive

BERLIN, 6 shkurt /ATSH-DPA/ – Moska ka dhënë një vlerësim pozitiv për bisedimet e paqes mes Ukrainës dhe Rusisë, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara dhe të zhvilluara në Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Janë kryer dy ditë pune konstruktive dhe njëkohësisht shumë komplekse”, tha sot  zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, sipas agjencive ruse të lajmeve, duke shtuar se puna do të vazhdojë.

Delegacione nga Rusia, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara u takuan të mërkurën dhe të enjten në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Abu Dabi, në një raund të ri bisedimesh që synojnë t’i japin fund luftës gati katërvjeçare të Rusisë në Ukrainë.

Edhe pse nuk u prezantuan rezultate konkrete, paralelisht me negociatat u realizua një shkëmbim i më shumë se 300 robërve lufte.

Ndërkohë, kancelari gjerman Friedrich Merz shprehu sot skepticizëm lidhur me mundësinë e bisedimeve të drejtpërdrejta mes udhëheqësve evropianë dhe presidentit rus Vladimir Putin për përfundimin e luftës.

Gjatë vizitës së tij në Abu Dabi, Merz kujtoi një vizitë të kryeministrit hungarez Viktor Orban në Moskë, e cila, sipas tij, u pasua vetëm disa ditë më vonë nga “bombardime të rënda, përfshirë një spital fëmijësh në Kiev”.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka shprehur së fundmi mbështetje për bisedime të drejtpërdrejta mes evropianëve dhe Putinit.

Këshilltari i tij për politikën e jashtme, Emmanuel Bonne, udhëtoi këtë javë drejt Moskës../ /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›