E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Lee dhe Xi diskutojnë ekonominë, Korenë e Veriut dhe ekuilibrat rajonalë

PEKIN, 5 janar /ATSHAFP/-  Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, u takua sot në Pekin me homologun e tij kinez, Xi Jinping, me forcimin e lidhjeve ekonomike dhe çështjen e Koresë së Veriut në krye të agjendës.

Vizita e Lee është e para e një lideri koreano-jugor në kryeqytetin kinez pas gjashtë vitesh dhe vjen një ditë pasi Koreja e Veriut  lëshoi dy raketa balistike në Detin e Japonisë.

Presidenti Xi organizoi një ceremoni pritjeje për Lee dhe më pas të dy nisën bisedimet, raportoi televizioni shtetëror kinez CCTV.

Sipas Seulit, takimi do të pasohet nga nënshkrimi i një marrëveshjeje dhe një banket shtetëror.

I shoqëruar nga një delegacion drejtuesish biznesi dhe teknologjie, presidenti Lee synon të sigurojë angazhime për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik me partnerin më të madh tregtar të vendit të tij.

Ai ka bërë thirrje që Koreja e Jugut dhe Kina të punojnë për një tregti “më horizontale dhe reciprokisht të dobishme”.

Presidenti  Lee u takua sot gjithashtu me drejtues të lartë të kompanive koreanojugore dhe kineze në Shtëpinë Shtetërore të Miqësisë.

“Koreja e Jugut dhe Kina kanë ndihmuar njëra-tjetrën të rriten përmes zinxhirëve industrialë të ndërlidhur dhe kanë udhëhequr ekonominë globale,” u tha ai drejtuesve.

Nga pala kineze morën pjesë përfaqësues të gjigantit të baterive “CATL”, prodhuesit të telefonave “ZTE” dhe kompanisë teknologjike “Tencent”.

Presidenti  Lee shoqërohej nga kryetari i” Samsung Electronics”, Lee Jae-yong, dhe kryetari ekzekutiv i “Hyundai Motor Group”, Chung Eui-sun./  /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›