E Hënë, 2 Nëntor 2026

FOKUS – Londra pret sot konferencën mbi integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor

LONDËR, 22 tetor /ATSH-DPA/- Kancelari gjerman Friedrich Merz do t’u bashkohet udhëheqësve të tjerë evropianë në konferencën e vendeve të Ballkanit Perëndimor – e cila do të zhvillohet sot në Londër – dhe synon të miratojë standardet e Bashkimit Evropian.

Disa institucione të BE-së do të përfaqësohen gjithashtu në bisedimet e mbajtura në kontekstin e “Procesit të Berlinit”, të iniciuar nën drejtimin e ish-kancelares Angela Merkel në vitin 2014.

Formati synon Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë.

Britania e Madhe – e cila pret konferencën edhe pse nuk është në nje anetare e BE-së, tha se synon të promovojë bashkëpunimin rajonal dhe të rrisë sigurinë dhe rritjen ekonomike.

BE-ja kërkon reforma në këto vende – si kusht për anëtarësim. Progresi ka qenë i pabarabartë dhe disa vende kanë ngecur në proces për disa dekada, duke shkaktuar frustrim.

Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul bëri thirrje së fundmi që procesi të çohet përpara, mes frikës se Kina dhe Rusia mund të shfrytëzojnë mundësitë në Ballkan nëse BE-ja vazhdon të vonojë anëtarësimin.

Britania e Madhe tha në një deklaratë se emigrimi do të ishte gjithashtu një fokus i madh i bisedimeve.

“Nxitja e rritjes ekonomike në gjashtë vendet e Ballkanit mund të ndihmojë në uljen e emigrimit të parregullt përgjatë rrugëve kryesore të tranzitit, të ndihmojë në sigurimin e kufijve të Britanisë së Madhe dhe të mbajë rrugët e saj të sigurta”, tha më herët qeveria britanike.//a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›