E Hënë, 2 Nëntor 2026

Destrojeri britanik monitoron anijen ruse në Kanalin e Anglisë

LONDËR, 22 tetor /ATSH-DPA/- Një destrojer i Marinës Mbretërore Britanike dhe një helikopter kanë monitoruar një anije luftarake ruse ndërsa po kalonte nëpër ujërat britanike në Kanalin e Anglisë.

Operacioni u krye nën komandën e NATO-s, duke shënuar herën e parë që një anije britanike vepron direkt nën udhëheqjen e aleancës për një operacion të tillë.

“HMS Duncan”, me qendër në Portsmouth, përdori sensorët dhe sistemet e saj të avancuara për të interceptuar anijen ushtarake “Vice Admiral Kulakov”në Detin e Veriut dhe për të monitoruar kalimin e saj drejt perëndimit përmes Kanalit, drejt ishullit Ushant pranë bregut francez.

Në operacion u përfshi edhe një helikopter Wildcat nga “815 Naval Air Squadron”, i cili ofroi mbështetje ajrore dhe mbikëqyrje të anijes ruse. Puna u koordinua gjithashtu me një “NH90 “të Forcave Ajrore Holandeze dhe Marinën Franceze, duke përfshirë tre vende në të njëjtën kohë.

Ministri i Forcave të Armatosura britanike, Al Carns, tha se Marina Mbretërore është e gatshme të përgjigjet ndaj çdo aktiviteti rus detar dhe kryen monitorim të vazhdueshëm për të mbrojtur ujërat territoriale të Britanisë.

Ai theksoi gjithashtu solidaritetin e palëkundur të vendit me NATO-n.

“HMS Duncan” është një nga dy anijet luftarake britanike të bashkangjitura forcës së detyrës së NATO-s “Standing Maritime Group 1 “(SNMG1), e cila patrullon ujërat e Evropës veriore për të siguruar stabilitetin dhe sigurinë detare. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›