E Hënë, 2 Nëntor 2026

OSLO – Zelensky: Ngrirja e luftës në vijën e frontit është një kompromis i mirë

OSLO, 22 tetor /ATSH-ANSA/- Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e quajti propozimin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump për të përdorur Vijën e Kontaktit si bazë për diskutim – një kompromis të mirë.

“Trump tha se palët në konflikt duhet të qëndronin aty ku ishin dhe të fillonin negociatat. Mendoj se ngrirja e luftës në vijën e frontit është një kompromis i mirë”, u tha Zelensky gazetarëve duke cituar presidentin amerikan, gjatë një vizite të shkurtër në Oslo.

“Por nuk jam i sigurt nëse Putini do ta mbështesë atë, ia thashë edhe presidentit Trump këtë”, shtoi ai.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky mbërriti sot në Norvegji për bisedime me kryeministrin Jonas Gahr Store, disa ditë pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump sugjeroi që lufta duhet të përfundonte në vijat aktuale të frontit me Rusinë – që përfshin shumicën e territoreve të pushtuara.

Zelensky mbërriti sot në mëngjes në Aeroportin Gardermoen nën masa të rrepta sigurie.

Presidenti ukrainas shoqërohej nga Zonja e Parë Olena Zelenska dhe ministri i Jashtëm Andriy Sybiha. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›