E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Meksika dislokon 10 000 trupa pas vrasjes së El Mencho-s

MKESIKO SITI, 23 shkurt /ATSH-AFP/ – Meksika ka dislokuar 10 000 trupa në pjesën perëndimore të vendit për të frenuar dhunën e shkaktuar nga vdekja e bosit më të kërkuar të drogës në vend, e cila ka lënë dhjetëra të vdekur.

”Nemesio Oseguera, i njohur ndryshe si El Mencho, udhëheqës i Kartelit të Gjeneratës së Re të Jalisco-s (CJNG), u plagos të dielën gjatë një operacioni ushtarak në qytetin Tapalpa, në shtetin perëndimor të Jalisco-s, dhe vdiq gjatë transferimit të tij me aeroplan në Meksiko Siti”, sipas ushtrisë.

Njoftimi për vdekjen e tij shkaktoi një reagim të dhunshëm nga karteli, anëtarët e të cilit të dyshuar bllokuan rrugët, i vunë flakën automjeteve, sulmuan stacionet e benzinës, bizneset dhe bankat, dhe u përleshën me autoritetet në 20 shtete meksikane.

”Të paktën 25 anëtarë të Gardës Kombëtare, si dhe një agjent sigurie dhe një prokuror, u vranë në operacionin ushtarak dhe përleshjet që pasuan”, tha ministri i Sigurisë, Omar Garcia Harfuch.

”Gjatë këtyre ngjarjeve, 30 anëtarë të kartelit u vranë nga forcat e rendit”, shtoi ai.

Qeveria njoftoi sot dislokimin e 2 500 trupave shtesë në Jalisco, duke e çuar numrin total të ushtarëve të vendosur që nga e diela në 10 000.

Autoritetet shpresojnë t’i japin fund trazirave katër muaj para Kupës së Botës FIFA 2026, e cila bashkorganizohet nga Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja, me Guadalajarën, kryeqytetin e shtetit Jalisco, si një nga qytetet pritëse.

Presidentja Claudia Sheinbaum deklaroi se nuk kishte më bllokada në rrugë.

”Vendi është në paqe, është i qetë”, deklaroi udhëheqësja e krahut të majtë./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›