E Diel, 1 Nëntor 2026

TEL AVIV – Netanyahu: Izraeli po përjeton ditë të vështira, pas tensioneve SHBA-Iran

TEL AVIV, 23 shkurt /ATSH-AFP/ – Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu i tha sot parlamentit se Izraeli po përjeton “ditë komplekse dhe të vështira”, mes tensioneve në rritje midis Uashingtonit dhe Teheranit pas kërcënimeve të Donald Trump për një sulm të kufizuar kundër Iranit.

“Po kalojmë ditë shumë komplekse dhe të vështira… Askush nuk e di se çfarë sjell e nesërmja, ne mbetemi vigjilentë, po përgatitemi për çdo skenar”, tha Netanyahu.

Ai përsëriti kërcënimet e tij ndaj Iranit, duke deklaruar se nëse “ajatollahët kryejnë ndoshta gabimin më serioz në historinë e tyre dhe sulmojnë shtetin e Izraelit, ne do të përgjigjemi me një forcë që ata as nuk mund ta imagjinojnë”.

Teherani paralajmëroi sot se çdo sulm i SHBA-së, madje edhe i kufizuar, do të provokonte një përgjigje “të ashpër”, pasi Donald Trump ngriti mundësinë e një sulmi të tillë në Iran, ku po zhvillohen protesta të reja studentore kundër qeverisë.

Presidenti amerikan, i cili po përpiqet të sigurojë një marrëveshje bërthamore me Iranin, urdhëroi një vendosje masive detare dhe ajrore në Lindjen e Mesme.

Në fjalimin e tij, zoti Netanyahu theksoi aleancën e vendit të tij me Shtetet e Bashkuara, të cilën ai tha se “nuk ka qenë kurrë më e afërt”.

“Midis ushtrisë izraelite dhe ushtrisë amerikane, midis shërbimeve tona të sigurisë dhe të tyre, nuk ka pasur kurrë diçka të krahasueshme”, deklaroi Netanyahu.

Në qershor 2025, Izraeli dhe Irani zhvilluan një luftë 12-ditore, të shkaktuar nga një sulm i paparë izraelit që synonte kryesisht komandën ushtarake iraniane, lëshuesit e raketave dhe objektet e programit bërthamor.

Shtetet e Bashkuara iu bashkuan ofensivës së aleatit të tyre duke goditur tre lokacione bërthamore iraniane./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›