FOKUS – NATO nis misionin ”Eastern Sentry” në krahun lindor

BRUKSEL, 12 shtator /ATSH-ANSA/ – NATO nis misionin ”Eastern Sentry” në krahun lindor dhe aktiviteti ushtarak do të fillojë në ditët në vijim, me asete të ofruara nga shumë aleatë, veçanërisht për t’u përballur me sfidën e dronëve, deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte në një konferencë për shtyp.
”Ajo që ndodhi në Poloni është e rrezikshme dhe e papranueshme, qoftë e qëllimshme apo jo”, shtoi Rutte, duke shpjeguar se një vlerësim është duke vazhduar, por duke përsëritur se “sjellja e pamatur që kemi parë nga Rusia është jashtëzakonisht e rrezikshme”.
“E vërteta është se ne po shqyrtojmë atë që ndodhi, por kjo nuk e ndryshon vlerësimin tonë. Është sjellje e rrezikshme, nuk është hera e parë që ka ndodhur; ka ndodhur tashmë në Rumani. Sidoqoftë, këto janë dronë që vijnë nga Rusia dhe në çdo rast, është një episod i papranueshëm. Sigurisht, nëse ka qenë e qëllimshme, do të jetë relevante”, shtoi Rutte.
“Pozicioni i SHBA-së është absolutisht i qartë; jemi të gjithë së bashku në këtë. Angazhimi i Amerikës është aty në çdo kuptim. Isha plotësisht i kënaqur me reagimin e SHBA-së ndaj ngjarjeve në Poloni”, tha Rutte në një konferencë për shtyp me Komandantin Suprem të Forcave Aleate, Alexus Grynkewich.
“Ishte një operacion shumë i suksesshëm. Por ne gjithmonë mësojmë nga analiza e fakteve; ne gjithmonë përpiqemi të përmirësohemi”, tha Komandanti Suprem i NATO-s, gjenerali amerikan Alexus Grynkewich.
“Kur një pilot është në ajër ose personeli në tokë, nuk dua që ata të mendojnë se sa kushtojnë armët, por të na mbrojnë”, tha ai në lidhje me koston e rrëzimit të dronëve me kosto të ulët me armë të teknologjisë së lartë.
Ndërkohë, Polonia ka mbyllur të gjitha pikat kufitare me Bjellorusinë që më parë ishin funksionale që nga mesnata.
Ministri i Brendshëm polak, Marcin Kierwinski, bëri njoftimin në pikën kufitare Terespol, e vetmja që është ende funksionale./ a.jor.