E Martë, 3 Nëntor 2026

FOKUS – Nisin evakuimet ndërsa konflikti Izrael-Iran përshkallëzohet

TEL AVIV/ TEHERAN, 17 qershor /ATSH-DPA/- Disa vende po evakuojnë qytetarët e tyre nga Izraeli dhe Irani mes konfliktit në rritje midis dy kombeve – i cili ka përfshirë sulme të ndërsjella me raketa dhe rritje të numrit të viktimave civile.

“Gjermania po organizon sot fluturime nga kryeqyteti jordanez, Aman, në qytetin perëndimor gjerman, Frankfurtit”, tha Ministria e Jashtme Gjermane, pasi hapësira ajrore izraelite është aktualisht e mbyllur për shkak të shkëmbimeve të raketave me Iranin.

“Gjermanët që kërkojnë të largohen nga Izraeli duhet të organizojnë në mënyrë të pavarur transportin e tyre për në Jordani. Nisjet përmes Egjiptit janë gjithashtu të mundshme”, tha ministria.

Polonia nisi dje një plan evakuimi për qytetarët e saj në Izrael.

“Një grup automjetesh do të udhëtojnë në rrugë tokësore drejt Jordanisë fqinje, nga ku të evakuuarit do të transportohen me avion në Poloni”, njoftoi zëvendësministrja e Jashtme, Henryka Moscicka-Dendys, në Varshavë.

“Rreth 200 persona thuhet se janë regjistruar për operacionin. Nuk ka plane në këtë fazë për të evakuuar qytetarët polakë nga Lindja e Mesme më e gjerë”, tha zëvendësministrja.

Ndërkohë, Sllovakia ka filluar transportimin ajror të qytetarëve sllovakë dhe të tjerë të BE-së nga Izraeli përmes Jordanisë dhe Qipros.

Ministria e Jashtme në Bratislavë njoftoi dje në mbrëmje se fluturimi i parë për në Bratislavë transportoi 73 persona, përfshirë 30 qytetarë sllovakë dhe 43 qytetarë të tjerë të BE-së.

Fluturime të mëtejshme evakuimi janë planifikuar sot dhe nesër.

Diku tjetër, Rusia evakuoi qytetarë nga Irani. Shefja e të drejtave të njeriut në Rusi, Tatyana Moskalkova, shkroi në Telegram se një grup prej 86 personash ishin evakuuar në Azerbajxhan të shtunën.

Të dielën, kalimet kufitare u organizuan për 238 qytetarë të tjerë rusë, përfshirë familjet e diplomatëve.

Rusia ka marrëdhënie të ngushta me Teheranin, i cili ka furnizuar një numër të madh dronësh për luftën ruse në Ukrainë.

Kina, e cila gjithashtu mban lidhje të ngushta ekonomike dhe diplomatike me Iranin, i ka këshilluar qytetarët e saj të largohen nga Izraeli.

Të premten, Izraeli nisi sulme të gjera në territorin iranian, duke përfshirë centralet bërthamore, instalimet mbrojtëse, objektivat urbane dhe infrastrukturën e naftës dhe gazit. Teherani i quajti këto një shpallje lufte dhe u kundërpërgjigj. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›