FOKUS – Protestuesit në Barcelonë dhe Romë kundër ndalimit të flotës së ndihmës për Gazën

BARCELONË/ROMË, 2 tetor /ATSH/- Protestuesit pro-palestinezë në Evropë bllokuan sot trafikun dhe vandalizuan dyqane dhe restorante pasi forcat izraelite ndaluan një flotilje të ndihmave humanitare që shkonte në Gaza, sipas “Reuters”.
Sipas raporteve të ushtrisë, marina izraelite mori kontrollin e 41 anijeve në flotën që po përpiqej të thyente bllokadën detare izraelite të Rripit të Gazës – për të dërguar ndihma në enklavën palestineze, duke arrestuar më shumë se 400 aktivistë të huaj, përfshirë aktivisten suedeze për klimën, Greta Thunberg.
Në Barcelonë, protestuesit thyen ose pikturuan slogane anti-izraelite në dritaret e dyqaneve dhe restoranteve, duke dënuar ofensivën e Izraelit në Rripin e Gazës.
Në Itali, studentët pushtuan Universitetin e Milanos, “Il Statale” dhe Universitetin “La Sapienza” të Romës, dhe bllokuan hyrjen e Universitetit të Bolonjës duke përdorur goma makinash.
Në Torino, qindra njerëz bllokuan trafikun në qytet, sipas raportimeve të agjencive të lajmeve.
Sindikatat italiane kanë bërë thirrje për një protestë të përgjithshme në mbështetje të flotës së ndihmës për Gazën, me më shumë se 100 marshime ose tubime që priten në të gjithë vendin.
“Mjekë, infermierë, farmacistë dhe shumë të tjerë do të marrin pjesë në një protestë në Romë, duke ndezur dritat e baterive dhe të telefonave celularë dhe duke lexuar emrat e 1 677 punonjësve të shëndetësisë të vrarë në Gaza”, thanë organizatorët. //a.i/