FOKUS – Ekspertët kërkojnë ndryshim të politikës gjermane ndaj Izraelit

BERLIN, 2 tetor /ATSH-DPA/ – Më shumë se 150 ekspertë nga fusha e akademisë, politikës dhe diplomacisë po kërkojnë një ndryshim kursi në marrëdhëniet e Gjermanisë me Izraelin.
Sipas tyre, politika gjermane duhet të përputhet në mënyrë të qëndrueshme me të drejtën ndërkombëtare dhe të ushtrojë presion ndaj linjave të ashpra në të dyja anët e luftës në Gaza, përmes ndalimeve të hyrjes, ngrirjes së aseteve apo sanksioneve të tjera.
Në këtë grup përfshihen ish-diplomati i lartë i BE-së Josep Borrell dhe ish-komisionerja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Mary Robinson.
Ata dënojnë mbështetjen e pakushtëzuar të Gjermanisë për Izraelin, në bazë të doktrinës së ashtuquajtur “Staatsraison” (arsye shtetërore).
Sipas nismës, kjo politikë ka vendosur “mbështetjen për qeverinë izraelite mbi detyrimet ligjore dhe morale të vetë Gjermanisë, interesat kombëtare dhe evropiane, të drejtat themelore të palestinezëve, fatin e pengjeve izraelite dhe përpjekjet për paqe në rajon”.
Ekspertët theksojnë se ”Holokausti” përbën një “përgjegjësi historike” për Gjermaninë në luftën kundër antisemitizmit dhe në mbrojtjen e hebrenjve, fillimisht brenda vendit, por edhe në politikën e jashtme.
Megjithatë, ata shtojnë se “dëmshpërblimet nuk duhet të bëhen në kurriz të palëve të treta”.
“Ne besojmë se me përshkallëzimin masiv të luftës që kemi parë në Lindjen e Mesme gjatë dy viteve të fundit, doktrina e ‘Staatsraison’, në interpretimin e saj aktual, nuk përputhet as me përgjegjësinë historike të Gjermanisë, as me interesat tona strategjike,” tha ekspertja e Lindjes së Mesme, Muriel Asseburg.
Ndërsa Alexander Schwarz nga Qendra Evropiane për të Drejtat Kushtetuese dhe të Njeriut (ECCHR) në Berlin kujtoi se respektimi i traktateve ndërkombëtare është një “shtyllë themelore e rendit kushtetues gjerman” dhe një “mësim moral nga historia”.
“Përkundrazi, qeveria gjermane po e kufizon ‘arsyen e shtetit’ në një solidaritet të pakushtëzuar me Izraelin, duke bërë një prioritizim serioz e të rrezikshëm”, tha Schwarz.
Ai shtoi se “krimet më të rënda sipas së drejtës ndërkombëtare nuk duhet të mbeten pa ndëshkim”, pa marrë parasysh individin.
Duke paralajmëruar për standarde të dyfishta, ai tha se “kush kërkon ndjekje penale ndërkombëtare për presidentin rus Vladimir Putin, por e saboton atë në rastin e Benjamin Netanyahut, po rrënon idenë e drejtësisë objektive”. /Ad.Ab./