E Hënë, 2 Nëntor 2026

FOKUS – Rriten tensionet në kufirin Liban–Izrael pas sulmeve me raketa

BEJRUT/ TEL AVIV, 12 mars /ATSH-DPA/- Tensionet në kufirin mes Libanit dhe Izraelit u përshkallëzuan sot, pasi sulmet me raketa gjatë natës shkaktuan kundërpërgjigje ushtarake nga Izraeli dhe kërcënime të reja ndaj Libanit.

Forca e Përkohshme e Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL) njoftoi se gjatë natës janë lëshuar më shumë se 120 raketa nga territori libanez drejt Izraelit.

Pas tyre, Izraeli kreu disa sulme ajrore dhe mbi 120 bombardime me artileri.

Sipas një zëdhënësi të ushtrisë izraelite, rreth 200 raketa janë lëshuar nga Libani.

Gjithashtu janë rrëzuar rreth 20 dronë, në atë që u përshkrua si sulmi më i madh me raketa nga Hezbollahu – që nga fillimi i përshkallëzimit të fundit.

UNIFIL e cilësoi shkëmbimin e sulmeve si shkelje te rende të Rezolutës 1701 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe paralajmëroi se përplasjet përgjatë të ashtuquajturës “Blue Line” (Vija Blu) po shkaktojnë zhvendosje të mëdha të civilëve dhe shkatërrime.

Misioni i OKB-së u bëri thirrje palëve të ndalojnë armiqësitë dhe të zbatojnë plotësisht rezolutën për sigurinë e civilëve në të dy anët e kufirit.

Ndërkohë, kryeministri i Libanit, Nawaf Salam, i kërkoi ministrit të Jashtëm të thërrasë përfaqësues nga ambasada e Iranit, pasi Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike(IRGC) publikoi një deklaratë për një operacion të kryer në bashkëpunim me Hezbollahun.

Nga ana tjetër, ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz tha se ushtria ishte urdhëruar të përgatitej për zgjerimin e operacioneve në Liban dhe paralajmëroi udhëheqjen libaneze se Izraeli mund të ndërmerrte veprime të tjera nëse sulmet e Hezbollahut vazhdonin.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, të paktën 11 persona u vranë gjatë natës.

Një sulm u raportua edhe në një rrugë bregdetare në kryeqytetin e Bejrutit, ku dëshmitarët thanë se një dron kishte goditur një automjet.

Nga ky sulm u vranë të paktën tetë persona dhe u plagosën 31 të tjerë.

Hezbollahu tha se gjatë sulmit u vra një nga komandantët e tij, Mohamed Assi.

Burime të sigurisë në Liban thanë se sulmi ishte kryer nga Izraeli, ndërsa ushtria izraelite deklaroi se nuk kishte informacion për sulmin me dron dhe se çështja po hetohej.

Zona bregdetare ku ndodhi shpërthimi kishte strehuar civilë të zhvendosur nga luftimet në pjesë të tjera të vendit. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›