IRAN – Mojtaba Khamenei kërcënon bazat amerikane: Të mbyllen ose do të përballen me sulme

TEHERAN, 12 mars /ATSH/ – Udhëheqësi i ri Suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, deklaroi se mbyllja e Ngushticës së Hormuzit duhet të mbahet si një “mjet për të ushtruar presion mbi armikun”, shkruan CNBC.
Khamnei tha gjithashtu se të gjitha bazat ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme duhet të mbyllen menjëherë dhe se nës nuk mbyllen ato do të sulmohen”.
Çmimet e naftës vazhduan të rriteshin pas deklaratës. Transporti i naftës përmes Ngushticës së Hormuzit është ndalur në mënyrë efektive që nga fillimi i luftës, duke shkaktuar rritjen e çmimeve globale të naftës. Irani paralajmëroi dje se çmimi i një fuçie mund të rritet në 200 dollarë.
Ky është komenti i parë publik i Khameneit që nga emërimi i tij si Udhëheqës Suprem i Iranit më 9 mars, pas vrasjes së babait të tij, Ajatollah Ali Khamenei, gjatë sulmeve ajrore izraelito-amerikane që filluan në fund të shkurtit.
Mojtaba Khamenei u plagos në sulmin ndaj kompleksit të banimit të babait të tij, i cili vrau ajatollahun dhe anëtarë të tjerë të familjes.
“Irani nuk do të përmbahet nga hakmarrja për gjakun e martirëve të tij”, deklaroi Khamenei, duke bërë thirrje për unitetin e popullit iranian.
Khamnei, 56 vjeç, konsiderohet më i ashpër dhe konservator se babai i tij, megjithëse ai mbajti një profil të ulët në Iran përpara se të zgjidhej për ta pasuar atë si udhëheqës suprem.
Presidenti i SHBA-së Donald Trump shprehu “zhgënjim” me përzgjedhjen e tij nga klerikët e lartë iranianë, duke i thënë Fox News: “Nuk mendoj se ai mund të jetojë në paqe”. /os/