FOKUS – Rubio paralajmëron një epokë të re në gjeopolitikë

UASHINGTON, 13 shkurt /ATSH/ – Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio paralajmëroi një epokë të re në gjeopolitikë, ndërkohë që po udhëton drejt Evropës për të mbajtur një fjalim të rëndësishëm në Konferencën e Sigurisë në Mynih, sipas BBC.
Ai kryeson delegacionin amerikan në këtë ngjarje madhore, e para që prej kur presidenti Donald Trump kërcënoi sovranitetin e Danimarkës me premtimin për aneksimin e Groenlandës duke shtuar tensionet mes SHBA-së dhe aleatëve evropianë.
Rubio theksoi se bota po ndryshon shumë shpejt dhe se vendet duhet të rishqyrtojnë rolin e tyre në këtë realitet të ri.
Në të njëjtën kohë, presidenti francez Emmanuel Macron ka kërkuar që Evropa të përgatitet për më shumë pavarësi nga SHBA-ja, ndërsa sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka këmbëngulur se lidhjet transatlantike mbeten të forta dhe thelbësore.
Konferenca e sivjetshme zhvillohet në një klimë të tensionuar, pas përplasjeve të vitit të kaluar, kur zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance kritikoi ashpër politikat evropiane për lirinë e shprehjes dhe emigracionin.
Kancelari gjerman Friedrich Merz bëri thirrje për riparimin dhe ringjalljen e besimit transatlantik, ndërsa zbuloi se po zhvillohen bisedime konfidenciale me Francën për krijimin e një parandalimi të përbashkët bërthamor evropian.
Franca dhe Britania e Madhe janë të vetmet fuqi bërthamore në Evropë, ndërsa vende si Gjermania tradicionalisht janë mbështetur nën ombrellën bërthamore amerikane përmes NATO-s.
Diskutimet për një kapacitet të përbashkët evropian vijnë në një kohë kur angazhimi amerikan ndaj aleancës është vënë në pikëpyetje dhe kur disa vende janë zotuar të rrisin shpenzimet e mbrojtjes deri në 5% të PBB-së deri në vitin 2035.
Tensionet janë rritur edhe për shkak të deklaratave të Trump për Groenlandën, të cilën ai e ka cilësuar jetike për sigurinë kombëtare amerikane.
Kryeministrja daneze Mette Frederiksen ka paralajmëruar një takim me Rubion për të diskutuar këto kërcënime ndaj territorit gjysmautonom danez, të cilat shumë liderë evropianë i shohin si një moment kthese në marrëdhëniet me Uashingtonin.
Ndërkohë, në agjendën e konferencës janë edhe lufta në Ukrainë, tensionet me Kinën dhe mundësia e një marrëveshjeje të re bërthamore mes SHBA-së dhe Iranit.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky deklaroi në Mynih se takimi pritet të sjellë hapa të rinj drejt sigurisë së përbashkët të Ukrainës dhe Evropës, ndërsa Rusia dhe Ukraina kanë njoftuar një raund të ri bisedimesh me SHBA-në në Gjenevë më 17-18 shkurt./ /Ad.Ab./ a.jor.