FOKUS – SHBA dhe Kanadaja aktivizojnë mbrojtjen ajrore ndaj avionëve rusë pranë Alaskës

UASHINGTON, 5 mars /ATSH-DPA/ – Avionë luftarakë amerikanë dhe kanadezë u ngritën për të interceptuar avionë zbulues rusë pranë Alaskës dhe Kanadasë, njoftoi “ North American Aerospace Defense Command” (NORAD).
Sipas deklaratës, dy avionë ushtarakë rusë të tipit “TU-142” u zbuluan dhe u shoqëruan deri sa u larguan nga Zona e Identifikimit të Mbrojtjes Ajrore (ADIZ). NORAD theksoi se avionët nuk hynë në hapësirën ajrore sovrane të SHBA-së apo Kanadasë.
Operacioni përfshiu disa mjete ajrore, përfshirë dy avionë luftarakë amerikanë “F-22 “dhe “F-35”, katër avionë cisternë “KC-135” për furnizim me karburant në ajër, një avion vëzhgimi “E-3 AWACS”, si dhe dy avionë kanadezë “CF-18” dhe një cisternë “CC-150”.
NORAD bëri të ditur se incidente të tilla me avionë rusë ndodhin rregullisht dhe nuk konsiderohen kërcënim i drejtpërdrejtë. Sipas ekspertëve ushtarakë, veprime të tilla përdoren shpesh për të testuar sistemet e mbrojtjes ajrore të vendeve.
Një episod i ngjashëm u regjistrua në shkurt, kur u interceptuan dy bombardues rusë “TU-95” me rreze të gjatë veprimi, dy avionë luftarakë “SU-35” dhe një avion zbulues.
ADIZ ndodhet jashtë hapësirës ajrore sovrane dhe shërben si zonë tampon, ku çdo avion duhet të identifikohet dhe të raportojë koordinatat për arsye sigurie kombëtare. /Ad.Ab./