FOKUS – Ukraina godet pesë anije në Detin Azov, pranon incidentin me dron në Rumani

KIEV, 5 qershor /ATSH/- Ukraina njoftoi sot se ka goditur pesë anije që transportonin ngarkesa të paligjshme, në Detin Azov dhe në ujërat bregdetare të territoreve ukrainase, të pushtuara nga Rusia, raportoi BBC.
Komandanti i forcave ukrainase të dronëve, Robert Brovdi, deklaroi se anijet ishin të përfshira në “vjedhjen” e grurit ukrainas, si dhe në transportimin e ngarkesave ushtarake dhe karburantit.
Sulmet ndodhën ndërsa presidenti rus, Vladimir Putin, përgatitet të mbajë një fjalim në forumin e madh ekonomik në Shën Peterburg, dhe një ditë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, propozoi bisedime të drejtpërdrejta me liderin rus, për t’i dhënë fund luftës.
Ndërkohë, Ukraina konfirmoi se një nga dronët e saj detarë, kishte shpërthyer sot pranë brigjeve të Rumanisë.
Autoritetet thanë se nuk pati viktima, megjithëse shpërthimi shkaktoi dëme të konsiderueshme në një anije dhe në disa magazina.
Nuk është ende e qartë nëse sulmet ndaj anijeve të mallrave, kanë lidhje me vdekjen e pesë shtetasve azerbajxhanas, të cilët sipas Ministrisë së Jashtme të Azerbajxhan, humbën jetën gjatë sulmeve me dronë ndaj anijeve në Detin Azov.
Ministria azerbajxhanase njoftoi se dy anije mallrash, “Natra” dhe “Zirkon”, u sulmuan gjatë natës në zonën e Gjirit Taganrog në Detin Azov.
Baku nuk specifikoi autorët e sulmit, por Rusia fajësoi Ukrainën. Kievi nuk reagoi menjëherë ndaj akuzave.
Më herët, Brovdi deklaroi se pesë anije “që qëndronin ilegalisht” u goditën gjatë natës në portet e Mariupol dhe Berdiansk, si dhe në ujërat bregdetare të territoreve, që Ukraina i konsideron përkohësisht të pushtuara.
Sipas tij, emrat e anijeve, përfshirë anije cisternë dhe anije transporti, ishin mbuluar, ndërsa radarët e tyre ishin çaktivizuar, për të transportuar fshehurazi grurë ukrainas, si dhe pajisje ushtarake dhe karburant. Ai nuk raportoi për viktima.
Ndërkohë, në Ukrainë të paktën 13 persona janë vrarë dhe mbi 70 të tjerë janë plagosur, gjatë 24 orëve të fundit nga sulmet ruse, sipas autoriteteve lokale.
Katër prej viktimave humbën jetën pasi dronët rusë, goditën një fabrikë qumështi pranë kryeqytetit Kiev.
Presidenti ukrainas i bëri thirrje dje Putinit për një takim ballë për ballë, në një përpjekje, të re për t’i dhënë fund luftës.
Në një letër të hapur drejtuar liderit rus, Zelensky shkroi se do të ishte “gabim të pritej thjesht”, që lufta në Evropë të rikthehej në qendër të vëmendjes së SHBA-së, dhe se paqja mund të arrihej, vetëm përmes dialogut të drejtpërdrejtë mes Ukrainës dhe Rusisë.
Ai kërkoi gjithashtu një armëpushim të plotë gjatë periudhës së negociatave të propozuara, një ide që Putini e hodhi poshtë.
Kremlini konfirmoi marrjen e letrës. Zëdhënësi presidencial, Dmitry Peskov, tha se Putini pritet të komentojë mbi propozimin.
Bashkimi Evropian, Franca dhe SHBA-ja kanë mbështetur thirrjen e Zelensky për një takim.
Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se një takim i tillë do të ishte i dobishëm dhe se të dy palët duhet të bëjnë kompromise, për të arritur një marrëveshje.
Duke folur para gazetarëve të huaj në Shën Peterburg, Putini tha se ishte i gatshëm për një marrëveshje me Ukrainën, por theksoi se kompromiset ishin të domosdoshme.
Megjithatë, ai vuri sërish në dyshim legjitimitetin e Zelensky, duke përsëritur qëndrimin rus, se afati i mandatit presidencial të liderit ukrainas ka përfunduar që në maj 2024.
Kievi e ka kundërshtuar këtë pretendim, duke theksuar se zgjedhjet janë pezulluar për shkak të gjendjes së luftës, të shpallur pas pushtimit rus.
Putini vazhdon të kërkojë që Ukraina të tërhiqet nga katër rajonet pjesërisht të pushtuara nga Rusia – Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhia – si dhe të heqë dorë nga aspiratat për anëtarësim në NATO.
Nga ana e saj, Ukraina refuzon çdo lëshim territorial, duke argumentuar se një veprim i tillë, do të inkurajonte agresione të reja ruse në të ardhmen.
Negociatat për armëpushim kanë ngecur muajt e fundit, ndërsa përpjekjet e mëparshme për paqe në Gjenevë, Abu Dabi dhe Stamboll nuk kanë sjellë rezultate konkrete.
Në një zhvillim tjetër, një dron detar shpërtheu sot, në portin rumun të Constanța në Detin e Zi.
Ministria rumune e Mbrojtjes tha se droni u vetëshkatërrua pranë një terminali nafte pa shkaktuar viktima.
Më vonë, Ukraina konfirmoi se bëhej fjalë për një dron të saj detar, i cili kishte devijuar nga kursi për shkak të ndërhyrjeve elektronike ruse. Moska nuk reagoi menjëherë ndaj këtij pretendimi.
Presidenti rumun, Nicusor Dan e cilësoi ngjarjen si incidentin e dytë serioz të sigurisë gjatë kësaj jave, pas zbulimit të një mine detare pranë fshatit Vama Veche, në bregdetin e Detit të Zi.
Një javë më parë, dy persona mbetën të plagosur, pasi një dron goditi një pallat banimi në qytetin rumun të Galacit, pranë kufirit me Ukrainën.
Autoritetet rumune thanë se droni ishte rus, ndërsa Moska i hodhi poshtë akuzat duke i quajtur të pabazuara. //a.i/