E Diel, 1 Nëntor 2026

Bardhi: Shqipëria është nën sulm nga korrupsioni, jo nga armiqtë e jashtëm

TIRANË, 5 qershor /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi reagoi sot ndaj deklaratave të Kryeministrit Edi Rama lidhur me protestat për Zvërnecin, duke i cilësuar ato si përpjekje për të shmangur përgjegjësinë politike dhe për të gjetur “armiq të jashtëm”.

Sipas Bardhit, kryeministri ka ndryshuar vazhdimisht narrativën për organizatorët e protestave, duke kaluar nga pretendimet se ato u nxitën nga fqinjët e Shqipërisë, te myslimanët e zemëruar për Gazën dhe së fundmi tek iranianët.

“Në vetëm pesë ditë kemi kaluar nga Greqia, te Gaza dhe Irani”, tha Bardhi.

Ai theksoi se protestat nuk kanë lidhje me faktorë të jashtëm, por janë pasojë e ngjarjeve të ndodhura në Zvërnec, ku, sipas tij, policia lejoi trajtimin e dhunshëm të protestuesve.

“Protestat nisën nga Zvërneci në Tiranë dhe po ndodhin tani edhe në kryeqytetet e Europës ku jetojnë shqiptarë, sepse në Zvërnec policia lejoi që protestuesit të tërhiqeshin zvarrë, siç ndodh rëndom në qeverisjen e Edi Ramës me kundërshtarët politikë. Dhe kjo skenë s’ka asnjë ndryshim me atë që ndodh në Teheran me kundërshtarët e regjimit atje”, shkruan Bardhi.

Sipas Bardhit, problemi kryesor me të cilin përballet Shqipëria është korrupsioni i lartë, duke argumentuar se kjo është arsyeja pse qytetarët po kërkojnë largimin e kryeministrit.

“E vërteta më e madhe në të gjithë këtë histori është i vetmi sulm nën të cilin ndodhet Shqipëria është ai i korrupsionit të shfrenuar nën qeverisjen e Edi Ramës. Prandaj, njerëzit janë në protestë dhe kërkojnë largimin e kryeministrit nga detyra”, tha Bardhi.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›