TEHERAN – Irani pretendon të shtëna paralajmëruese ndaj anijeve amerikane

TEHERAN, 5 qershor /ATSH-DPA/ – Forcat e Armatosura të Iran njoftuan se kanë qëlluar me të shtëna paralajmëruese ndaj anijeve luftarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës pranë brigjeve jugore të vendit, duke detyruar dy destrojerë amerikanë të tërhiqen nga Gjiri.
Sipas një deklarate të ushtrisë iraniane, të transmetuar sot nga televizioni shtetëror, gjatë incidentit u përdorën dronë kamikazë dhe raketa lundruese kundër anijeve. Një gazetar i televizionit shtetëror tha se ngjarja kishte ndodhur gjatë 48 orëve të fundit.
Raporti pretendon se anijet e marinës amerikane po përpiqeshin të hynin në Gji me sistemet e navigimit të fikura.
Forcat iraniane kanë marrë kontrollin e ngushticës menjëherë pas shpërthimit të luftës, një rrugë ujore me rëndësi të madhe për ekonominë botërore, pasi shërben si korridor kryesor për eksportin e plehrave kimike, naftës dhe gazit natyror të lëngshëm.
Sipas raportit, SHBA-ja ka vendosur një bllokadë detare për të penguar eksportet iraniane të naftës. Gjatë javëve të fundit janë regjistruar shkëmbime të izoluara zjarri mes dy palëve.
Lufta mes Izraelit, SHBA-së dhe Iranit, sipas këtij raporti, filloi më 28 shkurt. Një armëpushim është në fuqi që nga fillimi i prillit.
Negociatat ndërmjet Teheranit dhe Uashingtonit për një marrëveshje kuadër që do t’i jepte fund konfliktit dhe do të rihapte Ngushticën e Hormuzit për transportin detar kanë mbetur të bllokuara prej javësh. /Ad.Ab./