FOKUS – Erdogan & Mitsotakis: Turqia dhe Greqia në dialog të hapur si fqinjë dhe aleatë

ANKARA, 11 shkurt /ATSH-AA-ANA/ – Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan deklaroi se ai beson fuqishëm se Turqia dhe Greqia, si fqinjë dhe aleatë, duhet t’i mbajnë hapur kanalet e dialogut bazuar në bashkëpunim.
Presidenti Erdogan foli në një konferencë të përbashkët për median në kompleksin presidencial në Ankara, pas takimit dhe bisedimeve dypalëshe me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis.
“Turqia dhe Greqia po punojnë për të rritur tregtinë dypalëshe në 10 miliardë dollarë, nga gati 7,0 miliardë dollarë vitin e kaluar”, tha Erdogan.
Erdogani tha se ata gjithashtu diskutuan qëndrimin e Ankarasë në lidhje me Egjeun dhe Mesdheun Lindor “në mënyrë të hapur dhe të sinqertë”.
Ai tha se çështjet e Egjeut dhe Mesdheut Lindor janë komplekse, por jo të pazgjidhshme sipas ligjit ndërkombëtar.
Ai gjithashtu tha se ndan me kryeministrin grek pritjet e Ankarasë në lidhje me gëzimin e plotë të lirive fetare dhe mundësive arsimore nga pakica turke në Trakinë Perëndimore.
Presidenti turk foli edhe mbi çështjet rajonale.
“Është e qartë se roli konstruktiv që kemi ndërmarrë është i rëndësishëm jo vetëm për vetë Sirinë, por edhe për sigurinë e Greqisë dhe Evropës”, tha Erdogan.
Ai tha se me kryeministrin grek gjithashtu diskutuan zhvillimet rajonale, veçanërisht procesin e armëpushimit në Gaza dhe një plan më të gjerë të paqes.
“Turqia kundërshton vendimin e Izraelit për të zgjeruar kontrollin në Bregun Perëndimor dhe për të dobësuar Autoritetin Palestinez”, tha Erdogan.
Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis tha se ai dhe presidenti Erdogan patën një mundësi për të kryer një shqyrtim analitik dhe gjithëpërfshirës të marrëdhënieve dypalëshe greko-turke në dy vitet e fundit.
Mitsotakis tha se në vitin 2023, të dy bënë një zgjedhje strategjike për të përfshirë kontaktet e tyre në një kornizë të strukturuar trepalëshe: dialog politik, një agjendë pozitive – e cila u reflektua në bisedimet e sotme – dhe masa për ndërtimin e besimit.
“Përmes këtij procesi, ne vërtet rivendosëm një rrjet të qartë takimesh dhe kanale të hapura komunikimi në dobi të të dy popujve”, tha Mitsotakis.
“Me kujdesin e Ministrisë së Jashtme, ne krijuam një model të ri të bashkëpunimit të drejtpërdrejtë që synon një marrëdhënie të dobishme reciprokisht, por kryesisht, funksionale. Në fund të fundit, si vende fqinje… ne jemi të thirrur të menaxhojmë problemet tona me qetësi dhe përgjegjësi duke folur sinqerisht dhe duke iu referuar gjithmonë vazhdimisht ligjit ndërkombëtar,” shtoi ai.
”Edhe pse ka mosmarrëveshje, të dy vendet duhet të shmangin hyrjen në kriza dhe tensione”, vuri në dukje kryeministri grek, duke theksuar se si një shtet perëndimor, Greqia është gjithmonë e përqendruar në dialogun që duhet të zhvillohet me mirëbesim dhe respekt të ndërsjellë.
“Ne padyshim e dimë se ka mosmarrëveshje të rëndësishme, me qëndrimin e qëndrueshëm grek se përcaktimi i zonave detare, shelfit kontinental dhe Zonës Ekonomike Ekskluzive në Egje dhe Mesdheun Lindor është i vetmi ndryshim që mund të çohet para një autoriteti ndërkombëtar gjykimi, bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe konkretisht në Ligjin e Detit”, shtoi Mitsotakis.
“Shpresoj sinqerisht, zoti president (Erdogan – shën. i përkth.), të ndaj optimizmin tuaj se kushtet do të lejojnë një zhvillim në atë drejtim. Kjo është arsyeja që në të njëjtën frymë, me përvojën pozitive që ka ndodhur ndërkohë, tani është koha për të hequr çdo kërcënim, tipik dhe substancial, në marrëdhëniet tona të ndërsjella. Nëse jo tani, kur?”, tha Mitsotakis./ a.jor.