E Diel, 1 Nëntor 2026

Italia ashpërson dënimet: Deri në 7 vite burg për zaptimin e paligjshëm të banesave

ROMË, 11 shkurt/ATSH/ Italia ka miratuar një ligj të ri që ashpërson ndjeshëm dënimet ndaj zaptimit të paligjshëm të banesave, një fenomen që prej vitesh ka shkaktuar debate të forta politike dhe shqetësim tek pronarët.

Sipas dispozitave të reja, personat që hyjnë dhe banojnë në një pronë pa lejen e ligjshme të pronarit rrezikojnë deri në 7 vite burg, një rritje e ndjeshme e kufirit maksimal të dënimit. Ligji parashikon gjithashtu procedura më të shpejta për nxjerrjen e menjëhershme të personave që kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në banesë, duke synuar të shmangë zvarritjet burokratike dhe vonesat gjyqësore.

Qeveria italiane e ka cilësuar këtë masë si një instrument për të “mbrojtur të drejtat themelore të pronësisë” dhe për të garantuar siguri juridike për familjet dhe qytetarët, në një kohë kur rastet e zaptimit të banesave në disa qytete janë bërë më të shpeshta.

Mbështetësit e ligjit thonë se masa do të veprojë si parandalues i fortë, duke vendosur një kornizë të qartë rregullash dhe dënimesh. Ndërkohë, një pjesë e opozitës ka shprehur shqetësime se ligji nuk parashikon masa sociale për familjet në nevojë, duke kërkuar politika të balancuara midis mbrojtjes së pronës dhe garantimit të strehimit.

Ligji pritet të hyjë në fuqi në ditët në vijim, pas publikimit në Fletoren Zyrtare.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›