FOKUS – WMO: Temperaturat globale me gjasa tejkalojnë pragun prej 1,5 gradë Celsius në pesë vitet e ardhshme

LONDËR, 28 maj /ATSH-DPA/ – Shkencëtarët kanë paralajmëruar se temperaturat globale ka të ngjarë të jenë më shumë se 1,5 gradë Celsius mbi nivelet paraindustriale gjatë pesë viteve të ardhshme.
Pasi temperaturat rekord të vitit 2024 thyen – të paktën përkohësisht – pragun prej 1,5 gradësh mbi të cilin vendet kanë rënë dakord të kufizojnë ngrohjen globale për të shmangur ndikimet e saj më të rrezikshme, parashikimet e reja për klimën kanë gjetur një shans prej 86% që një vit tjetër në pesë vitet e ardhshme të bëjë të njëjtën gjë.
Dhe analiza nga Organizata Botërore Meteorologjike (WMO) dhe Zyra Meteorologjike e Mbretërisë së Bashkuar gjen një shans prej 70% që mesatarja pesëvjeçare e temperaturës globale të jetë më shumë se 1,5 gradë mbi nivelet paraindustriale.
“Ekziston një shans prej 80% që të paktën një vit midis viteve 2025 dhe 2029 të vendosë një rekord të ri për temperaturat globale”, tregon analiza.
Dhe për herë të parë, modelet e klimës kanë treguar se ekziston mundësia që temperatura mesatare globale në botë të kalojë DY gradë mbi nivelet paraindustriale para vitit 2030, megjithëse shkencëtarët që qëndrojnë pas analizës thanë se ishte “jashtëzakonisht e pamundur”, me vetëm një shans prej 1% që të ndodhë.
Shkencëtarët paralajmërojnë gjithashtu se Evropa veriore mund të shohë disa dimra shumë të lagësht gjatë pesë viteve të ardhshme, që është një nga rreziqet kryesore klimatike për rajonin, duke sjellë me vete rrezikun e përmbytjeve.
Mundësia që pesë vitet e ardhshme të jenë mbi 1,5 gradë nuk do të thotë që pragu është shkelur përgjithmonë, pasi shifrat për ngrohjen afatgjatë janë mesatarizuar gjatë 20 viteve.
Por, shkencëtarët sugjeruan se ngrohja tani ishte rreth 1,4 gradë mbi nivelet paraindustriale, e matur nga një nivel bazë i viteve 1850-1900, përpara se të fillonte djegia globale në shkallë të gjerë e lëndëve djegëse fosile./ /os/