E Martë, 3 Nëntor 2026

FOKUS – Zelensky propozon një takim tripalësh me Trumpin dhe Putinin

KIEV, 28 maj /ATSH-ANSA/ – Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka bërë thirrje për një samit trepalësh me presidentin e SHBA-së Donald Trump dhe presidentin rus Vladimir Putin në një përpjekje për ta detyruar Moskën të bjerë dakord për një armëpushim.

“Nëse Putin nuk ndihet rehat me një takim dypalësh ose nëse të gjithë duan që të jetë një takim trepalësh, nuk më vjen keq. Jam gati për çdo format”, theksoi Zelensky.

Udhëheqësi ukrainas tha gjithashtu se do të “dëshironte shumë” që Trump të godiste sektorët bankarë dhe të energjisë të Rusisë me një paketë sanksionesh të ashpra, në përgjigje të një vale sulmesh ajrore ruse dhe refuzimit të Moskës për të rënë dakord për një armëpushim.

”Kievi ende nuk e ka marrë nga Moska memorandumin e përmendur nga Rusia javën e kaluar, i cili supozohet të përshkruajë kushtet ruse për një marrëveshje paqeje të qëndrueshme”, theksoi Zelensky.

“Ne do t’i lexojmë propozimet e tyre dhe patjetër do t’u përgjigjemi sapo t’i marrim’’, shtoi Zelensky.

Më parë, diplomacia ruse tha se do ta përcjellë këtë dokument në Kiev sapo të finalizohet shkëmbimi i të burgosurve në shkallë të gjerë gjatë fundjavës.

Volodymyr Zelensky do të takohet sot me kancelarin gjerman Friedrich Merz në Berlin.

Vizita e udhëheqësit ukrainas do të përqendrohet në mbështetjen gjermane për Ukrainën dhe përpjekjet për të arritur një armëpushim me Rusinë.

Zelensky do të takohet gjithashtu me Presidentin Frank-Walter Steinmeier në pasdite.

Sipas Zelenskyt ‘’Rusia po vendos më shumë se 50 000 trupa në vijën e frontit rreth rajonit kufitar verilindor të Sumy-t, ku ushtria e Moskës ka pushtuar disa vendbanime në një përpjekje për të krijuar një ‘zonë tampon’ brenda territorit ukrainas’’./   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›