E Martë, 3 Nëntor 2026

FOKUS – Zjarret në Greqi nën kontroll, rreziku për vatra të reja mbetet i lartë

ATHINË, 28 korrik /ATSH-DPA/  –  Zjarret e fuqishme që përfshinë Greqinë gjatë fundjavës janë tashmë nën kontroll ose janë shuar plotësisht, raportoi sot televizioni publik  “ERTNews”.

Sipas raportit, vetëm në një zonë pak të populluar në veri-perëndim të vendit, shërbimi zjarrfikës vazhdon të përballet me flakët.

Zjarre të mëdha në disa ishuj dhe pranë Athinës

Në tre ditët e fundit, zjarre të mëdha shpërthyen në veri të Athinës, si dhe në ishujt Kretë, Evia, Kithira dhe në gadishullin e Peloponezit.

Dhjetëra persona përfunduan në spital me probleme të frymëmarrjes, shumë fshatra u evakuuan, bagtitë dhe kafshët e egra humbën jetën, ndërsa shumë shtëpi u dogjën.

Sipas të dhënave të fundit, objektet turistike nuk janë prekur.

Autoritetet paralajmërojnë për rrezik të vazhdueshëm zjarresh

Megjithëse situata është stabilizuar, autoritetet e mbrojtjes civile dhe shërbimi zjarrfikës kanë paralajmëruar se rreziku për shpërthime të reja mbetet shumë i lartë në ditët në vijim.
Thatësira e vazhdueshme dhe erërat e forta mund ta kthejnë shumë shpejt edhe një zjarr të vogël në një zjarr masiv.

Zjarre edhe në Bullgari

Edhe në Bullgari, zjarrfikësit, punonjësit e pyjeve dhe vullnetarët po luftojnë me zjarre në pyje dhe shkurre, sidomos në jug të vendit, në zona të vështira për t’u aksesuar.

Sipas radios shtetërore bullgare, rreth 300 hektarë pyje dhe disa shtëpi të pabanuara janë djegur në jug-perëndim të vendit. Banorët janë evakuuar në kohë.

Qeveria i ka kërkuar ndihmë Bashkimit Evropian për përpjekjet e shuarjes së zjarreve.

Sipas ministrisë së Brendshme, situata në vend është lehtësuar disi të hënën, por në zonën e Lesovos, pranë kufirit me Turqinë, përpjekjet për shuarjen e flakëve vazhdojnë.

Në atë zonë, zjarri ka përfshirë një sipërfaqe prej 1,600 hektarësh, me shkurre dhe barishte të thata. Resortet bregdetare në Detin e Zi nuk janë prekur nga zjarret. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›