E Martë, 3 Nëntor 2026

PARIS – Ministrat francezë: Marrëveshja tregtare BE-SHBA ka merita, por është e pabalancuar

PARIS, 28 korrik /ATSH/- Ministrat e qeverisë franceze thanë se marrëveshja tregtare kornizë midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian kishte disa përparësi – ku përfshihen përjashtimet për disa sektorë kyç të biznesit francez, siç janë pijet alkoolike – por megjithatë ajo ishte e pabalancuar, sipas “Reuters”.

“Marrëveshja tregtare e negociuar nga Komisioni Evropian me Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të sjellë stabilitet të përkohshëm për aktorët ekonomikë të kërcënuar nga përshkallëzimi i tarifave amerikane, por kjo është e pabalancuar”, shkroi ministri francez i Çështjeve Evropiane, Benjamin Haddad në X.

Ky qëndrim u mbështet nga ministri francez i Industrisë, Marc Ferracci, i cili tha se do të nevojiteshin më shumë bisedime – të cilat mund të zgjasin me javë ose muaj – përpara se marrëveshja të përfundohej zyrtarisht.

Ferracci tha se duhej bërë më shumë në lidhje me ribalancimin e marrëdhënieve tregtare mes BE-së dhe SHBA-së.

“Ky nuk është fundi i historisë”, tha Ferracci për RTL.

Donald Trump njoftoi dje marrëveshjen me BE-në, e cila parashikon tarifa prej 15% për shumicën e mallrave që hyjnë në SHBA nga Evropa dhe kërkon që blloku të bëjë investime të mëdha në produktet energjetike amerikane – duke shmangur luftën tregtare midis dy ekonomive më të mëdha në botë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›