FRANCË – Macron kundërshton zhvendosjen e palestinezëve nga Rripi i Gazës

KAJRO, 7 prill /ATSH-DPA/- Presidenti francez, Emmanuel Macron theksoi sot kundërshtimin e tij ndaj zhvendosjes së përhershme të palestinezëve nga Rripi i Gazës.
“Ne kundërshtojmë me vendosmëri dëbimin e popullsisë dhe çdo aneksim të Rripit të Gazës dhe Bregut Perëndimor”, tha Macron pas takimit me presidentin egjiptian Abdel-Fatah al-Sissi, në Kajro.
“Planet për të aneksuar Rripin e Gazës ose Bregun Perëndimor shkelin ligjin ndërkombëtar”, tha Macron, duke iu referuar planeve të paraqitura nga presidenti amerikan Donald Trump në shkurt për ta kthyer territorin në një “rivierë të Lindjes së Mesme”.
Deklarata e Trump – i cili propozoi rivendosjen e 2 milionë banorëve palestinezë të Rripit të Gazës – ndezën zemërim në botën arabe.
Presidenti francez kritikoi gjithashtu rifillimin e konfliktit në Gazë, pas një armëpushimi gjashtëjavor që përfundoi në fillim të këtij viti.
“Ne dënojmë rifillimin e sulmeve izraelite në Gazë”, tha ai duke bërë thirrje që pengjet izraelite nga sulmet e 7 tetorit 2023 të lirohen dhe negociatat për një armëpushim të rifillojnë.
Macron dhe al-Sissi do të takohen sot pasdite me mbretin Abdullah II të Jordanisë.
Tre liderët pritet të diskutojnë luftën në Gazë dhe mënyrat për të rifilluar procesin e armëpushimit midis Izraelit dhe grupit militant palestinez Hamas. //a.i/