FRANCË - Sulm kibernetik ndaj bankës së gjakut, manipulohen sistemet e ftohjes - ATSH -
PARIS, 4 nëntor /ATSH-DPA/ – Sistemi i ftohjes së bankës kombëtare të gjakut në Francë është goditur nga një sulm kibernetik, i ngjashëm me atë që shënjestroi sistemet frigoriferike në disa vende evropiane në fillim të kësaj jave, njoftoi sot institucioni francez EFS.
Sipas EFS-së, sulmi ka prekur dhomat frigoriferike në tri prej qendrave të tij.
Sistemet e ftohjes, të furnizuara nga një kompani e jashtme, janë manipuluar në distancë nga hakerat, duke shkaktuar rritje të ndjeshme të temperaturave.
Sipas gazetës investigative franceze “Le Canard Enchaîné”, temperaturat u rritën nga minus 30 gradë Celsius në plus 11 gradë.
Megjithatë, falë sistemeve të monitorimit dhe alarmit, ndryshimi u zbulua shpejt dhe autoritetet ndërhynë në kohë, duke shmangur dëmtimin e mostrave dhe produkteve të gjakut.
EFS bëri të ditur se sistemet e prekura janë vënë sërish nën kontroll, ndërsa disa produkte gjaku janë transferuar në ambiente të tjera si masë paraprake.
Institucioni ruan produkte gjaku dhe mostra biologjike në pajisje frigoriferike përpara se ato të shpërndahen në institucionet shëndetësore.
Sulmi vjen pas një serie ndërhyrjesh kibernetike ndaj frigoriferëve dhe ngrirësve në supermarkete në disa vende evropiane, përfshirë Belgjikën, Suedinë, Irlandën, Luksemburgun, Estoninë, Finlandën, Gjermaninë dhe Holandën.
Këto ndërhyrje shkaktuan rritjen e temperaturave në pajisjet frigoriferike.
Një sulm i ngjashëm në shkallë të gjerë, në mesin e tetorit, kishte prekur gjithashtu frigoriferët në disa prej rrjeteve më të mëdha të supermarketeve franceze.
Deri më tani, mbetet e paqartë se kush qëndron pas këtyre sulmeve kibernetike. /Ad.Ab./
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
