E Diel, 1 Nëntor 2026

Fakulteti i Arkitekturës dhe Ndërtimit me një korpus të ri – Tre godina të lidhura në funksion me njëra-tjetrën

Godina e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, e ndërtuar në vitet ’80, sjell ndërmend figurat më të njohura të arkitekturës dhe inxhinierisë, të cilët jo vetëm kontribuan në këtë fakultet, por edhe u formuan në auditorët e këtij institucioni të arsimit të lartë në vend.

Ishin pikërisht këta të rinj, një pjesë e të cilëve u shkolluan edhe jashtë vendit, që realizuan veprat më të bukura arkitekturore, si Muzeu Historik Kombëtar, Piramida, pallati 15-katësh, si dhe ndërtesat më ikonike të Tiranës dhe epokës së komunizmit. Gjithashtu, Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti” në Krujë dhe shumë vepra të tjera u realizuan nga këta arkitektë.

Godina e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit pësoi dëme të pariparueshme në themel dhe në strukturë nga tërmeti shkatërrimtar i vitit 2019, duke sjellë nevojën e ndërtimit të një godine të re. Tashmë, vetë arkitektët dhe inxhinierët e diplomuar në këto dy fakultete u besuan hartimin e një projekti të ri, me qëllim plotësimin e të gjitha nevojave të studentëve, pedagogëve dhe punonjësve të institucioneve të arsimit të lartë.

Tre projektuesit e korpusit të ri të Universiteteve të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Arkitekturës – Armand Vokshi, Gjergj Islami dhe Gjergj Ruçi – të mbështetur nga një grup i madh studentësh dhe pedagogësh, arritën në përfundimin se kjo duhej të ishte pamja e re e tre godinave. Biblioteka e përbashkët e dy fakulteteve është menduar të jetë një nga ambientet më të veçanta të korpusit.

Dekani i Fakultetit të Arkitekturës, Armand Vokshi, u shpreh se “Ne kemi pasur rikonstruksione të herëpashershme, por asnjëherë nuk kemi arritur të plotësojmë nevojat tona bazike. Rënia e tërmetit, përveç dëmit të madh që na shkaktoi, na hapi mundësinë për t’u ringritur me një godinë e cila do të ishte përfaqësim i elitave të inxhinierëve dhe arkitektëve të rinj, por pse jo edhe i atyre të shkuar. Ky është imazhi i Fakultetit që tashmë do të përfaqësojë të gjithë. Projekti final është një bashkim forcash i gjithë grupit që mori pjesë.”

Pedagogu i Fakultetit të Arkitekturës, Gjergj Ruçi, shtoi se “Kur nisëm këtë projekt, kishim disa sfida. Së pari, funksionale, për të përmbushur të gjitha nevojat që kishin godinat. Më pas, sfida vizuale, për të krijuar një objekt që do të ishte gjurmë e inxhinierëve dhe arkitektëve shqiptarë, duke i dhënë imazh një godine për të ardhmen. Teknologji të reja, funksione të reja, mënyrë e re konceptimi. Kështu prodhuam këtë objekt që ka unitetin e tre godinave, është solid dhe përmban klasat, zyrat dhe të gjitha funksionet bazë që ka një shkollë.”

Ndërsa Gjergj Islami theksoi se “Tre godinat janë të unifikuara, por nuk janë monotone. Siguria është në radhë të parë: e gjithë ndërtesa është pajisur me tre shkallë emergjence, që përkojnë me secilën nga volumet e projektit dhe garantojnë evakuimin e shpejtë në rast rreziku. Ndërtesat janë të pajisura me rampa për persona me aftësi të kufizuara dhe me tualete të veçanta për këtë kategori, duke garantuar akses të barabartë për të gjithë dhe duke qenë në përputhje me standardet e kohës dhe legjislacionin.”

Pas ndërtimit të tre korpuseve të shkëputura në vëllim, por të lidhura në funksion, pritet që studentët dhe pedagogët të studiojnë e punojnë në kushte komode.

Korpusi i ri do të hapë rrugën për bashkëpunim në nivel ndërkombëtar, për të përballuar sfidat e së tashmes dhe të së ardhmes në një botë gjithnjë e më të globalizuar.

Gazetar: K. Toroveci

 /rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›