E Diel, 1 Nëntor 2026

Prodhimi i fruta-perimeve, Tirana e dyta në rang vendi, në sitën e standardeve të BE

Rrethinat e Tiranës prodhojnë as më shumë e as më pak se sa për të zënë vendin e dytë në rang vendi pas Fier-Lushnjës për fruta perime. Befasia e shifrave sipas burimeve zyrtare ka pasur një rritje në vazhdim vitet e fundit duke profilizuar Tiranën edhe si furnizues të rëndësishëm për ushqimin me 10 për qind të të gjithë prodhimit vendas.

“Është vërtet një informacion i ri për ne dhe kjo është një risi për sa i përket dhe turizmit shqiptar. Të gjitha zonat përreth Tiranës dhe njësitë administrative duke përfshirë Petrelën, Ndroqin, zonën e Dajtit po rrisin cilësinë e këtyre produkteve”, u shpreh Kujtim Dervishi Këshilltar i Prefekturës Tiranë.

E ndjekur nga Berati në renditjen në rang vendi për prodhime bujqësore, Tirana do të duhet së shpejti të përballet me rregulla të reja që do të bien mbi aktivitete deri tani të kufizuara me ngastra apo organizime familjare e kryesisht vetëpunësimi.

“Ndoshta me ndarjen territoriale kjo punë do të sistemohet dhe shpresojmë që Shqipëria do të bëhet me rajone siç i kanë vende të tjera të BE-së. Në dijeninë time kapitulli i fundit i BE për tu bërë pjesë Shqipëria është siguria ushqimore”, tha ai.

Në terma më të ngutshëm, aktivitetet e përpunimit të qumështit me nënprodukte, baxhot, do të jetë e vështirë të kalojnë sitën e bashkimit evropian.

“Ato vendimmarrje i takojnë qeverisë shqiptare por mendoj që do të gjendet një mekanizëm edhe për baxhot dhe nëse ato e kalojnë këtë test sigurisht që do të mbijetojnë ose në të kundërt do të funksionojnë ato baxho që kanë standard”, theksoi Dervishi.

Gazetare: Entela Komnino

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›