Tabaku: Protesta kundër një sistemi që ka përqendruar ekonominë në pak duar

Pak para nisjes së protestës qytetare para Kryeministrisë në Tiranë, deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetarja e Komisionit për Median dhe të Drejtat e Njeriut, Jorida Tabaku, ka reaguar me një video në rrjetet sociale, ku artikulon kritika ndaj modelit ekonomik të vendit gjatë 12 viteve të fundit.
Sipas Tabakut, pakënaqësia qytetare e shprehur në protestë lidhet me një sistem ekonomik që, sipas saj, ka favorizuar përqendrimin e pasurisë dhe mundësive në një grup të ngushtë përfituesish.
Ajo argumenton se ekonomia shqiptare është orientuar kryesisht drejt sektorit të ndërtimit dhe tregut imobiliar, ndërsa sektorët prodhues, konkurrenca dhe sipërmarrja kanë mbetur në plan të dytë.
“Për 12 vite me radhë kemi folur për vizionin e cunguar ekonomik të Shqipërisë”, është shprehur Tabaku, duke theksuar se investimet e huaja, sipas saj, janë orientuar disa herë më shumë drejt pasurive të paluajtshme sesa industrive prodhuese.
Deputetja demokrate e ka përshkruar modelin aktual ekonomik si një ekonomi të mbështetur te ndërtimi, të cilën e konsideron të paqëndrueshme dhe me ndikim të kufizuar në punësim dhe zhvillim afatgjatë.
Sipas saj, një strukturë e tillë ekonomike “i heq oksigjenin konkurrencës” dhe nuk krijon kushte të barabarta për zhvillimin e sipërmarrjes private.
Tabaku e ka lidhur protestën me pakënaqësinë ndaj, siç e quan ajo, mungesës së konkurrencës dhe politikave ekonomike të ndërtuara mbi interesa të ngushta.
Ajo e cilëson tubimin si një reagim ndaj “ligjeve me porosi” dhe një sistemi që, sipas saj, favorizon të privilegjuarit në kurriz të shumicës.