Falja me kusht e detyrimeve, njoftim elektronik në e-Filing për tatimpaguesit përfitues

TIRANË, 17 qershor/ATSH/ Tatimpaguesit që mund të përfitojnë nga falja me kusht e detyrimeve tatimore të papaguara po njoftohen përmes mesazheve elektronike në llogaritë e tyre në sistemin e-Filing, ndërsa administrata tatimore u bën thirrje të përfitojnë nga masat lehtësuese brenda afatit ligjor.
Tatimpaguesit e identifikuar dhe njoftuar si përfitues të kësaj skeme mund t’u drejtohen Drejtorive Rajonale Tatimore për verifikimin e situatës së tyre financiare dhe procedurave që duhet të ndjekin.
Sipas njoftimit, kanë mbetur edhe 14 ditë për të përfituar nga masat lehtësuese të parashikuara në ligj, të cilat synojnë uljen e barrës financiare për subjektet me detyrime të papaguara.
Për detyrimet tatimore të periudhës 2015-2019, pagesa në një këst e 50% të detyrimit kryesor mundëson fshirjen e 50% të mbetur të principalit, si dhe faljen e plotë të gjobave dhe kamatëvonesave.
Ndërkohë, tatimpaguesit që nuk kanë dorëzuar deklaratat tatimore për periudhat deri më 31 dhjetor 2024 mund t’i paraqesin ato deri më 30 qershor 2026, duke përfituar faljen e gjobave për deklarim të vonuar.
Administrata tatimore thekson se përfitimi nga dispozitat e ligjit kushtëzohet nga respektimi i afateve të përcaktuara dhe fton tatimpaguesit të kryejnë verifikimet e nevojshme brenda afatit përfundimtar të 30 qershorit.
Kjo masë synon të lehtësojë shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, të nxisë formalizimin e ekonomisë dhe të krijojë mundësi për mbylljen e detyrimeve tatimore me kosto më të ulët për tatimpaguesit.

/r.e/a.f/