Arrestohen në Tiranë shtatë persona për mashtrim kompjuterik, procedohen 27 të tjerë

TIRANË, 17 qershor/ATSH/ Shtatë persona janë arrestuar dhe 27 të tjerë janë proceduar penalisht në kuadër të operacionit të koduar “End Point”, të finalizuar nga Policia e Shtetit kundër mashtrimit kompjuterik dhe krimit ekonomik.
Operacioni u zhvillua nga Drejtoria për Hetimin e Krimit Kibernetik dhe Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Sipas Policisë, gjatë operacionit u sekuestruan një shumë eurosh e dyshuar si e përfituar nga aktiviteti kriminal, 70 njësi kompjuterike dhe 49 telefona celularë.
Hetimet nisën pas dyshimeve për përshtatjen e ambienteve të ndryshme me pajisje kompjuterike dhe teknologjike, të përdorura për kryerjen e mashtrimeve kompjuterike përmes thirrjeve telefonike, në formën e njohur si “call center”.
Strukturat policore ushtruan dy ditë më parë kontrolle në disa ambiente të dyshuara si qendra të kësaj veprimtarie.
Si rezultat, u arrestuan në flagrancë katër shtetas shqiptarë, një shtetas paraguajan dhe dy shtetas angolezë, të gjithë banues në Tiranë. Ndërkohë, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për nisjen e procedimit penal në gjendje të lirë ndaj 27 personave të tjerë, mes tyre tre shtetas të huaj nga Brazili dhe Franca.
Nga hetimet paraprake dyshohet se personat e përfshirë kanë ushtruar veprimtari të kundërligjshme që lidhen me veprat penale “mashtrimi kompjuterik”, “punësimi i paligjshëm” dhe “fshehja e të ardhurave”.
Policia e Shtetit bëri të ditur se hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe përcaktimin e përgjegjësive ligjore përkatëse.
Sipas Policisë, lufta kundër krimit kibernetik, mashtrimeve kompjuterike dhe çdo forme të veprimtarisë kriminale që cenon sigurinë ekonomike dhe interesin publik mbetet një nga prioritetet e strukturave ligjzbatuese.
/a.f/r.e/