E Diel, 1 Nëntor 2026

Fëmijët e shkollës “Ibrahim Kushta” në Vlorë, pjesë e programit “Toka në shkollë”

TIRANË, 26 maj/ATSH/ Programi “Toka në Shkollë” ka sjellë një frymë të re në mënyrën se si nxënësit lidhen me natyrën dhe kuptojnë rëndësinë e qëndrueshmërisë mjedisore.

Përmes aktiviteteve praktike, mësimeve ndërvepruese dhe projekteve inovative, nxënësit jo vetëm që mësojnë për mjedisin, por edhe e përjetojnë atë drejtpërdrejt.

Ky program i iniciuar nga Ministria e Arsimit shtrihet në shkolla në mbarë vendin, ku nxënësit jo vetëm zhvillojnë aftësi praktike, por edhe ndërgjegjësohen për rëndësinë e mjedisit dhe ushqyerjes së shëndetshme.

Kryeministri Edi Rama ndau sot foto nga shkolla 9-vjeçare “Ibrahim Kushta” në Vlorë, ku nxënësit dhe mësuesit po punojnë në kopshtin e shkollës

Ndërsa vlerësoi programin “Toka në Shkollë”, Rama u shpreh se “këtë vit ky program është shtrirë edhe në shumë shkolla, falë përkushtimit të mësuesve dhe angazhimit të nxënësve”.

“Mësuesit e nxënësit po i përdorin këto hapësira si laboratorë të Biologjisë për të mësuar dhe vëzhguar nga afër ciklet jetësore të bimëve”, u shpreh Rama.

“Toka në Shkollë” është një nismë e Ministrisë së Arsimit, e shtrirë në shkolla në mbarë vendin, synon të zhvillojnë aftësitë praktike për kultivimin, me synim lidhjen e fëmijëve dhe të rinjve me natyrën dhe traditat, si një mjet për edukimin mjedisor dhe jo vetëm.

/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›