Mbi 6 mijë qytetarë regjistruan lejet e legalizimit në tremujorin e parë të vitit

TIRANË, 7 prill /ATSH/ Agjencia Shtetërore e Kadastrës njofton se gjatë tre muajve të parë të këtij viti, 6117 qytetarë kanë përfunduar procesin e regjistrimit të vendimeve të legalizimit për objektet e tyre, duke u pajisur me dokumentacion të plotë pronësie.
Sipas të dhënave zyrtare, përmes këtij procesi qytetarët kanë siguruar të drejta të plota ligjore mbi pasuritë e tyre, duke përfituar siguri juridike dhe mundësi për të disponuar pronën në përputhje me legjislacionin në fuqi.
ASHK u bën thirrje të gjithë qytetarëve që disponojnë një vendim legalizimi të pa regjistruar, të aplikojnë për përfundimin e procedurave, në mënyrë që të pajisen me dokumentacionin përkatës, si certifikatë pronësie, kartelë pasurie dhe fragment të hartës kadastrale.
Kadastra thekson se regjistrimi i vendimit të legalizimit përbën hapin përfundimtar për garantimin e të drejtave të plota mbi pronën.

/e.xh/j.p/r.e/