E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Festa e shegës” në Lezhë, 55 shefa kuzhine spektakël shijeje dhe krijimtarie

TIRANË, 15 tetor/ATSH/ Qyteti i Lezhës u shndërrua sot në epiqendrën e “magjisë” të 55 shefave të kuzhinës nga e gjithë Shqipëria, të cilët dhuruan një spektakël shijesh dhe krijimtarie me frutin e shegës.

Qindra qytetarë lezhjanë, por edhe turistë mbushën sheshin “Gjergj Kastrioti”, ku shijuan gatimet unike me bazë shegën, të përgatitura nga shefat e kuzhinës me rastin e “Festës së shegës” e kthyer tashmë në traditë.

Kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu ndau sot në rrjetet sociale pamje nga kjo festë,  ku prezantohet jo vetëm tradita e këtij qyteti, por edhe përfshirja e këtij fruti me gatime ku vitet e fundit ka marrë një rëndësi të veçantë.

“Lezha po kthehet gjithnjë e më shumë në qendër të traditës, kulturës dhe kulinarisë shqiptare. Lezha tashmë jo vetëm është simbol i Lezhës, por edhe i një kulinarie që ka marrë përmasa jo vetëm në vend, por ka kaluar edhe kufijtë”, tha Ndreu.

“Festa e shegës” u shoqërua me performanca artistike, valle dhe atmosferë festive nga Qendra Kulturore e Fëmijëve dhe Eagle Dance. Këngëtarë të njohur nga Lezha, si dhe i ftuari special Mateus Frroku elektrizuan mbrëmjen me një koncert të paharrueshëm.

Kjo festë është kthyer në traditë në Lezhë, pasi organizohet prej vitesh.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›