Festat e fund vitit në Ziçisht të Devollit – Festojnë të gjithë bashkë, atmosferën e bëjnë më të bukur emigrantët

Pas shumë vitesh mungesash dhe ndarjesh, ky fund vit i gjeti të bashkuar banorët e fshatit Ziçisht në një festë të veçantë, plot ngrohtësi dhe emocione. Vendasit dhe emigrantët që ishin kthyer nga vende të ndryshme të botës, u mblodhën së bashku duke e kthyer këtë festë në një moment ribashkimi dhe gëzimi të përbashkët.
Atmosfera festive u shoqërua me muzikë, valle, ushqime tradicionale dhe kujtime të ndara mes brezash, ndërsa përqafimet dhe urimet e fund vitit dëshmuan lidhjen e fortë që i bashkon banorët e Ziçishti, pavarësisht largësive, kjo festë shërbeu jo vetëm si një përshëndetje për Vitin e Ri, por edhe si një simbol shprese, uniteti dhe rikthimi te rrënjët.
“E veçanta e kësaj feste është se të gjithë ziçishtarët janë kthyer nga vendet ku jetojnë për të festuar të gjithë së bashku”, u shpreh një banore.
Banorët shprehën dëshirën që ky bashkim të kthehet në një traditë të përvitshme, duke e mbajtur gjallë frymën e komunitetit dhe duke forcuar lidhjet mes atyre që jetojnë në fshat dhe emigrantëve që e mbajnë Ziçishtin gjithmonë në zemër.
Gazetare: G. Manushi
/rtsh.al/