Festivali i Pranverës/ Ledina Çelo rikthen emocionet e viteve ’90: Vlerësim për RTSH që e riktheu këtë skenë që nxori artistë të mëdhenj

Një nga momentet më të veçanta të Festivalit të Pranverës ishte rikthimi në skenë i këngëtares Ledina Çelo, ikonë e gjeneratës së artistëve të viteve ’90 dhe fituese e dy herë e këtij festivali, e cila interpretoi një nga hitet e saj më të njohura, “San Valentino”, fituese e vitit 1996.
Me emocione të forta, Çelo u rikthye në skenën ku nisi rrugëtimi i saj artistik, duke e cilësuar këtë moment si një përjetim të veçantë dhe nostalgjik.
“Jam shumë e emocionuar, më duket sikur jam për herë të parë në skenë. Falenderoj RTSH për ftesën dhe për rikthimin e këtij festivali të mrekullueshëm që ka nxjerrë shumë emra të mëdhenj të muzikës shqiptare,” u shpreh ajo.
Këngëtarja theksoi se Festivali i Pranverës ka një vend të veçantë në karrierën e saj, pasi aty nisi rrugëtimi i saj artistik dhe u formësua si artiste.
“Në këtë skenë jam rritur dhe këtu ka nisur karriera ime. U uroj shumë sukses të gjithë artistëve dhe le të fitojë më i miri. Për mua janë të gjithë fitues që ngjiten në këtë skenë që lë gjurmë,” shtoi Ledina Çelo.
Rikthimi i saj u prit me emocion nga publiku, duke sjellë një moment nostalgjie për muzikën e viteve ’90 dhe historinë e festivalit.
/rtsh.al/