E Diel, 1 Nëntor 2026

“Në duart e nënës”, Festivali i Pranverës rikthen këngën e parë fituese. Bashkim Alibali: Duartrokitjet e publikut janë oksigjen për mua

Një nga momentet më të ndjera të Festivalit të Pranverës ishte rikthimi në skenë i këngëtarit Bashkim Alibali, fituesi i parë i këtij festivali, i cili interpretoi këngën e njohur “Në duart e nënës”, një nga krijimet që mbetet simbol i dashurisë dhe mallit në muzikën shqiptare.

Kjo këngë, e cila ka hyrë në historinë e festivalit si fituese dhe është kthyer në një pjesë të pandashme të repertorit të muzikës së lehtë shqiptare, u rikthye në skenë me emocion dhe nostalgji, duke u mirëpritur nga publiku.

Me emocion të dukshëm, Alibali u shpreh mirënjohës për rrugëtimin e tij artistik dhe për mbështetjen e publikut ndër vite.

“Kam pasur fatin e madh të jem mes mbretërve të poezisë dhe muzikës, të cilët i kujtoj me shumë respekt. Duartrokitjet e publikut kanë qenë oksigjen për mua. U jam borxhli,” u shpreh ai.

Rikthimi i Bashkim Alibalit në këtë skenë solli një moment të veçantë nostalgjie, duke lidhur historinë e hershme të festivalit me rikthimin e tij në ditët e sotme dhe duke kujtuar rëndësinë e kësaj platforme në zhvillimin e muzikës shqiptare.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›