E Diel, 1 Nëntor 2026

Festivali i Pranverës/ “Rikthimi vjen me përgjegjësi”, artistët pjesëmarrës në prova me Orkestrën e RTSH

Vetëm pak ditë larg nga nisja e Festivalit të Pranverës në Radio Televizionin Shqiptar, provat dhe përgatitjet po zhvillohen intensivisht. 20 artistët pjesëmarrës në Festivalin e Pranverës janë bashkuar në prova së bashku me Orkestrën e Radio Televizionit Shqiptar dhe bendin muzikor.

Ata presin me padurim të ngjiten në skenën e festivalit, ndërsa ndajnë emocionet dhe flasin për detajet e këngëve me të cilat do të përfaqësohen.

“Është pikërisht ky rikthimi pas kaq shumë vitesh që të bën të kesh pak më shumë përgjegjësi në performancën që ne do të japim në skenë, por gjithashtu ndjej përgjegjësi sepse është kënga ime e parë origjinale që e kam orkestruar për të qenë pjesë e këtij festivali dhe mezi po pres. Në fakt, jam shumë e emocionuar dhe ajo që pres është që të dalë sa më mirë kënga dhe të pëlqehet nga publiku”, tha Arsi Bako.

“Jam shumë i privilegjuar dhe i falënderoj të gjithë që më dhanë këtë mundësi për të performuar. Për mua është hera e parë që performoj në një skenë dhe do të kem goxha emocione. Kënga ime titullohet ‘Do jepem i tërë’ kështu që edhe si vetë titulli do jepem i tërë në atë skenë dhe do jem vetvetja.”, tha Alban Cuku.

“Ndihem shumë e emocionuar. Jam e gëzuar që është rikthyer ky festival. Nuk është një festival që brezi im e ka përjetuar ndonjëherë, ama këngët që kanë kaluar nëpër këtë festival, këtë konkurs, kanë qenë ikonike, saqë ne i njohim ende. Shpresoj që të kënaqem. Kjo është gjëja që dua të bëj kryesisht dhe të kem një eksperiencë të bukur në këtë festival, por edhe të arrij të përcjell një emocion të bukur tek publiku”, tha Kejsi Jazxhi.       

20 krijimet artistike që do të interpretohen në netët e Festivalit të Pranverës janë të zhanreve të ndryshme muzikore dhe artistët kanë muaj që përgatiten për të ardhur sa më mirë përpara publikut.

Festivali i Pranverës do të mbahet më 6 dhe 7 qershor në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Gazetare: Xhilda Kondi

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›