Festivali i bandave frymore, një traditë e re muzikore dhe identitet kulturor i qytetit

Korça po përgatitet të mirëpresë një nga ngjarjet më të mëdha muzikore të këtij viti, Festivalin Ndërkombëtar të Bandave Frymore, që do të zhvillohet më 24, 25 dhe 26 tetor.
Për tre net radhazi, qyteti do të shndërrohet në një skenë të hapur arti, ku do të ndërthuren muzika, ritmi dhe energjia e veçantë e bandave frymore nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të botës.
“Shpresoj që ky festival në 3 netë të jetë një ngjarje e rëndësishme jo vetëm për artdashësit e Korçës por të jetë një shkëmbim eksperiencash për të gjithë artistët dhe instrumentistët e frymës”, u shpreh Blerta Belliu, Drejtore e Qendrës së Kulturës dhe Inovacionit.
“Janë 150 artiste të cilët njohin qytetin e Korçës, bashkëpunojnë dhe kontribuojnë për të për të rinjtë e këtij qyteti për ti afruar sa më shumë ato me artin”, tha ilir Kodhima, Kurator i festivalit.
Nënkryetarja e Bashkisë Korçë, Benila Themeli, u shpreh se festivali i shtohet kalendarit të ngjarjeve që promovojnë turizmin kulturor.
“Bashkia e sheh jo thjesht si një event artistik dhe kulturor por dhe si një mundësi për të tërhequr në Korçë vizitor të shumtë”, theksoi Themeli.
Me një kalendar të pasur aktivitetesh përgjatë 3 ditëve, Festivali i Bandave Frymore pritet të ngrejë edhe njëherë lart shpirtin artistik të Korçës dhe të forcojë identitetin e saj si qyteti i kulturës dhe muzikës.
Gazetare: E. Fili
/rtsh.al/