Gjykata rrëzon kërkesën e Metës për shuarjen e masës së sigurisë, avokati: E paprecedentë, afati 1-vjeçar është ezauruar

Apeli i GJKKO ka rrëzuar kërkesën e Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta për shuarjen e masës së sigurisë “arrest me burg”.
Në një deklaratë për medie, Kujtim Cakrani, avokati i Metës e konsideroi këtë vendim si një akt të paprecedentë, pasi sipas tij, presidenti i Partisë së Lirisë i ka plotësuar kushtet dhe kriteret e bazuara në ligj.
Ai theksoi se gjykata po mban peng në paraburgim pa ligj, Ilir Metën.
“Z.Meta u arrestua në 21 tetor 2024. Nisur nga kjo i kërkuam gjykatës shuarjen e masës së sigurimit sepse ka plotësuar kushtet dhe kriteret e bazuara në ligj. Ne e kishim të bazuar kërkesën.
Ne bëjmë kërkesa të bazuar. Fakti që gjykata si merr parasysh, por të dëgjon dhe në fund dëgjon dhe prokurorët që flasin vetëm dy minuta dhe tërhiqet sikur do marrë ndonjë vendim të llahtarshëm. Gjykata sot ka krijuar precedentin e mbajtjes peng në paraburgim të presidentit pa ligj. Hetimet kanë përfunduar. Jemi në seancën paraprake, por nuk kemi zhvilluar asnjë seancë nga gjykimi paraprak. Ne se dimë sa do zgjasë ky gjyq. Se dimë çfarë vendimmarrje do marrë gjykata, do e kalojë për gjykim, do e pushojë apo do e kthejë aktet prokurorisë për të vazhduar hetimet. Jemi në errësirë totale. Kjo sot e ka arritur kulmin.
Gjykata e rrëzoi kërkesën tonë. Ne se dimë vendimin e arsyetuar. Ka krijuar precedentë të rrezikshëm sot”, deklaroi ai.
Cakrani shtoi se kërkesa për shuarjen e masës së sigurisë përbën një moment të rëndësishëm procedural, pasi sikurse sqaroi ai, ditën e djeshme është ezauruar afati 1 vjeçar për mbajtjen e Metës në paraburgim.
“Shuarja është moment i rëndësishëm procedural, janë ezauruar afatet procedurale për paraburgim. Afati 1 vjeçar është ezauruar dje.
Teknikalitetet që gjen gjykata për të justifikuar vendimarrjen e saj, nuk kanë vlerë.
Nesër do shqyrtohet kërkesa për revokimin e masës së sigurimit. Ne pasi prokurori i kërkoi gjykatës kërkesën për kalim në gjykim, ne bëmë kërkesë për revokimin e masës”, përfundoi avokati.
Ish-presidenti Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetorit 2024 dhe ka bërë gjithashtu ankim edhe në Gjykatën e Lartë, e cila do ta shqyrtojë kërkesën më 9 tetor të këtij viti. Dosja e tij përfshin tre hetime të bashkuara: aferën CEZ-DIA, lobimin në SHBA dhe hetimin pasuror, ku ai akuzohet për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.
/rtsh.al/