Fier – Masa të shtuara për përballimin e zjarreve në pyje dhe ullishte

TIRANË, 1 korrik /ATSH/ Bashkia e Fierit ka ndërmarrë masa të shtuara për përballimin e zjarreve në pyje dhe ullishte gjatë sezonit të verës, bazuar në përvojën e viteve të kaluara dhe numrin e lartë të rasteve të evidentuara gjatë muajve janar-qershor.
Në kuadër të planit të masave të emergjencës civile, janë vendosur mjetet zjarrfikëse në gatishmëri të përforcuar dhe janë shpërndarë në tre zona strategjike të bashkisë, për të reaguar në kohë ndaj çdo vatre të mundshme zjarri.
Nënkryetari i bashkisë së Fierit, Vasil Bregu, në një prononcim për “Report tv” se masat e marra synojnë të forcojnë reagimin dhe ndërhyrjen në zonat me risk të lartë, përfshirë masivet pyjore në bregdet dhe zonat e brendshme. “Në Darezezë dhe Seman kemi vendosur mjet zjarrfikës 24 orë në shërbim pranë këtyre objekteve. Një tjetër mjet ndodhet në fshatin Verri, për mbikëqyrjen e masivit pyjor në zonën e Mbrostarit dhe Ardenicës. Ndërkohë, një mjet tjetër është dislokuar pranë ish-Azotikut për të mbuluar zonat Cakran, Levan dhe Frakull,” tha Bregu.
Ai nënvizoi se shkak kryesor i zjarreve mbeten temperaturat e larta dhe djegia e mbetjeve bujqësore nga fermerë të papërgjegjshëm. “Ky veprim jo vetëm që dëmton tokën duke shkatërruar mikroorganizmat, por rrezikon edhe pasuritë e të tjerëve. U bëjmë thirrje fermerëve të ndalojnë këtë praktikë të rrezikshme,” apeloi ai.
Policia e Fierit ka evidentuar 12 raste të veprës penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, përfshirë djegie të pemëve, automjeteve, lokaleve dhe banesave. Janë proceduar 13 persona, prej të cilëve 11 të arrestuar në flagrancë. Për “Shkatërrimin e pronës nga pakujdesia” janë proceduar në gjendje të lirë 7 shtetas.
/a.f/