E Martë, 3 Nëntor 2026

Financim shtesë për digjitalizimin e shërbimeve, Balla kërkon miratimin e marrëveshjes në Kuvend

TIRANË, 26 qershor/ATSH/ Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla prezantoi sot në Kuvend projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, në vlerën e 76.9 milionë euro.

Balla theksoi se ky financim shtesë synon të mbështesë përmirësimin e shërbimeve publike për qytetarët, përmes zgjerimit të digjitalizimit edhe në nivel vendor.

“Jemi sot për të kërkuar miratimin e kësaj marrëveshjeje, e cila është në funksion të përmirësimit të shërbimeve publike ndaj qytetarëve. Puna që kemi bërë deri tani me digjitalizimin e shërbimeve të administratës qendrore synojmë ta shtrijmë edhe në qeverisjen vendore,” u shpreh Balla para deputetëve.

Ministri sqaroi se përmes këtij financimi do të realizohet digjitalizimi i shërbimeve vendore, i proceseve të brendshme administrative në 61 bashkitë e vendit, si dhe përmirësimi i sistemit të menaxhimit financiar (AFMIS) në nivel lokal.

Po ashtu, një tjetër komponent i rëndësishëm është modernizimi i procedurave të prokurimit publik, duke i përafruar me ndryshimet e fundit ligjore.

Gjatë fjalës së tij, Balla theksoi edhe sukseset e arritura nga programi GovTech, i cili ka shërbyer si bazë për këtë financim.

Ai përmendi instalimin e 216 laboratorëve digjitalë në 200 shkolla dhe shtoi se me mbështetjen e Bashkimit Europian, synimi është që çdo shkollë në Shqipëri të ketë një Smart Lab gjatë këtij mandati.

Në këtë kuadër, Balla bëri me dije edhe nisjen e implementimit të Sistemit të Qendërzuar për Dokumentet me Nënshkrim Elektronik dhe kalimin e platformës e-Albania në versionin e saj të ri, 2.0, që do të hapë një fazë të re për shërbimet online.

“Ky është një financim që e merr qeveria qendrore për ta vendosur në dispozicion të bashkive, me qëllim përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve,” u shpreh Balla, ndërsa ftoi deputetët ta votojnë marrëveshjen.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›