BRUKSEL – Merz: Mbështes përpjekjet e BE-së për të arritur një marrëveshje tregtare me SHBA-në

BRUKSEL, 26 qershor /ATSH-DPA/- Mosmarrëveshja tregtare midis Bashkimit Evropian dhe SHBA-së duhet të zgjidhet sa më shpejt, tha sot kancelari gjerman Friedrich Merz.
“Evropa po përballet me javë dhe muaj vendimtarë”, tha Merz, ndërsa mbërriti në samitin e tij të parë të BE-së në Bruksel që nga marrja e detyrës në maj.
“Unë mbështes Komisionin Evropian në të gjitha përpjekjet e tij për të arritur një marrëveshje tregtare me SHBA-në sa më shpejt”, tha ai.
Brukseli dhe Uashingtoni janë në mosmarrëveshje pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump fillimisht vendosi tarifa të larta importi për shumë shtete, përfshirë vendet anëtare të BE-së, përpara se të pezullonte masat për 90 ditë. Ky pezullim përfundon më 9 korrik.
Zyrtarët e BE-së për Tregtinë janë aktualisht në negociata me homologët e tyre në Uashington duke u përpjekur të gjejnë një marrëveshje para përfundimit të afatit.
Çështje të tjera urgjente në axhendë, sipas Merz, janë finalizimi i marrëveshjes tregtare BE-Mercosur me vendet e Amerikës së Jugut Argjentinën, Brazilin, Paraguain dhe Uruguain, si dhe konkurrueshmëria e industrisë evropiane. //a.i/