E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjala e Presidentit Topi në Takimin e Katërt të Forumit Ekonomik Rajonal të Europës Juglindore.

22 nëntor 2007

Dubrovnik,
Kroaci

I nderuar Zoti Stjepan Mesiç

Para së gjithash do të desha t’ju falenderoj për ftesën dhe mikpritjen në qytetin e bukur të Dubrovnikut, historia e të cilit na ndihmon të japim shembullin më të mirë të diplomacisë dhe bashkëpunimit tregtar midis vendeve tona, që e ka zanafillën e saj që në kohët e hershme të Republikës Tregtare të Raguzës.

Të dashur kolegë,
Zonja dhe Zotërinj,

Kam kënaqësinë e veçantë që, në emër të Shtetit Shqiptar, t’i adresoj Takimit të Katërt të Forumit Ekonomik Rajonal disa mendime në lidhje me Konkurencën dhe Partneritetin në Rrugën tonë për në Bashkimin Europian.

Duke vlerësuar përmirësimin e klimës politike në rajon që pasqyrohet në marrëdhëniet dypalëshe dhe shumëpalëshe si dhe krijimin e një imazh gjithnjë e më pozitiv, do të desha të ve në dukje progresin që është bërë që nga ajo kohë kur, Zoti Erhard Busek, që udhëhiqte Paktin e Stabilitetit, sugjeroi dhe udhëhoqi përpjekjet për liberalizimin e tregtisë në vendet e Europës Juglindore.

Shqipëria si gjithnjë, në politikën e saj rajonale, do të bazohet në intensifikimin dhe thellimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit me vendet e rajonit, udhëhequr nga parime themelore të tilla si konstruktiviteti, realizmi dhe fryma e kompromisit, në dobi të një rajoni të stabilizuar, në paqe dhe që përparon përherë e më shumë drejt integrimeve euro – antlantike.

Shteti shqiptar dhe shqiptarët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në rritjen dhe forcimin e marrëdhënieve ndërshtetërore, në rritjen e frymës së mirëkuptimit dhe mirëbesimit reciprok me vendet e Ballkanit Perëdimor, duke treguar kështu vlera europiane dhe synime të qarta euro – antlantike, si dhe moderacion gjatë gjithë këtyre viteve të turbullta të krizave në rajon.
Në këtë kuptim, kostot politike të deritanishme, mendoj se kanë qenë më të vogla se sa do të kishin qenë, në rast se ne nuk do të arrinim në nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje që, gjithnjë e më shumë, na fton për konkurencë dhe zhvillim.

Joshja e investimit të kapitaleve në tregjet, burimet natyrore dhe njerëzore të vendeve tona ka qenë dhe mbetet objektivi kryesor i Marrëveshjes së Zonës së Lirë Tregtare të Europës Qendrore, sepse ajo përmbush një prej konditave më të rëndësishme për investitorët: madhësinë e tregut me rreth 25 milion konsumatorë.

Për këtë qëllim regjimi fiskal i secilit vend, si element kyç i politikës për rritjen e investimeve, duhet të përgatitet në përputhje me Kodin e Sjelljes së Biznesit të Tatimit të BE, me qëllim që stimujt tatimorë ekzistues dhe ato të së ardhmes t’i binden me besnikëri këtij Kodi.

Përveç konkurencës tatimore, në tërheqjen e investimit të huaj influencojnë jo pak diferencat ndërmjet vendeve tona në infrastrukturën fizike dhe në kapitalin njerëzor, për të cilat kërkohet kohë dhe para.

Identifikimi dhe analiza serioze e të gjithë faktorëve që influencojnë pozitivisht mbi interesin e përbashkët do të tregonte se nga cili tip i konkurrencës tatimore duhet të përmbahemi.

Praktikat ekzistuese të Traktatit të BE, ndalojnë ose kufizojnë çdo masë që siguron një avantazh të veçantë për një investim, në qoftë se ajo masë nuk do të mund të justifikohej nga një numër arsyesh që kushtëzojnë ndihmën shtetërore.

Në përpjestim të drejtë me ndihmën që i nevojitet çdo vendi, por jo në kundërshtim me Kodin e BE, ndonjë përjashtim do të ishte i domosdoshëm.

Rishikimi i kujdesshëm i legjislacionit fiskal të secilit vend, do të bënte të mundur që, stimujt tatimorë, të jenë në përputhje me praktikat ligjore doganore dhe ato të ndihmës shtetërore.

Eleminimi, ose kufizimi i përdorimit të stimujve tatimorë për investimin brenda disa kufijve të caktuar është i pashmangshëm, sepse nuk ka gjasa që ndonjë prej vendeve tona të marrë përsipër riskun e tërheqjes së njëanëshme nga konkurrenca dhe zhvillimi që ofron CEFTA.

Harmonizimi tatimor është një proçes që kërkon shumë maturi, shumë punë dhe shumë përpjekje.

Besoj dhe uroj që ekspertët do të bëjnë kompromiset e nevojshme për të arritur atë konsensus, që do të harmonizojë interesin e përbashkët me interesin e secilit vend antar.

JU FALEMINDERIT!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›