Formimi profesional në Gjirokastër, shtohen dy kabinete të reja, prej janarit 433 të regjistruar

Qendrës së formimit profesional në Gjirokastër i janë shtuar dy kabinete të reja, të ideuara për t’u zhvilluar katër kurse manikyr, pedikyr, estetikë dhe parukeri e berber. Me ngritjen e tyre tashmë kursantët nuk do t’u drejtohen më bizneseve, por praktikën dhe teorinë do ta zhvillojnë në këto ambiente.
“Jemi në kabinetin e estetikës dhe manikyr-pedikyrit me mjetet dhe gjërat më bashkëkohore. Gjithsej i kemi 360 orë, mirëpresim të gjithë kursantët”, tha Endrita Beshiraj nga Organizata DEV-AID.
“Unë ndjej kursin e parukerisë këtu në Gjirokastër. Është një pasion i imi që prej fëmijërisë”. E kam ushtruar dhe tek motra ime më parë. Më pëlqen ta ushtroj dhe tek vetja. U regjistrova këtu që të kem diplomën dhe pse jo ta ushtroj në të ardhmen”, u shpreh një kursante.
Investimi është kryer në kuadër të projektit “Të bëjmë tregun e punës të fuksionojë për grupet në vështirësi”nga organizata Dev-Aid.
Drejtoresha e qendrës, Miral Apaapa u bën thirrje kryesisht të rinjve të përzgjedhin sipas interesit dhe dëshirave mes 40 kurseve që ofrohen duke u dhënë mundësi vetes si të integrohen në tregun e punës.
“Të gjitha pajisjet, produktet, lëndë e parë për të cilën ata do punojnë janë të kohës së fundit. Është teknologjia që sot është e vështirë ta gjenin në ambientet private, por këtë gjë ja afron vetëm qendra e formimit profesional Gjirokastër. Ju bëj thirrje të gjithë të rinjve mos ta humbasin kohën kot, po të vijnë të përfitojnë një zanat, një profesion me të cilin ata nesër e kanë shumë më të lehtë për të gjetur një vend pune”, tha ajo.
Që prej janarit deri në maj në kurset profesionale në Gjirokastër janë regjistruar 433 persona.
Gazetare: Y. Ponde
/rtsh.al/