E Diel, 1 Nëntor 2026

Formularët e pasaktësive, 200 ankesa nga maturantët



Maturantët e kryeqytetit kanë depozituar më shumë ankesa se rrethet e tjera të vendit për të dhënat e publikuara në Librin e Transparencës. Rreth 200 ankesa për pasaktësi jo vetëm në llogaritjen e pikëve, por edhe në të dhënat e tyre personale kanë mbërritur në APRIAL nga maturantët. Specialistë të APRIAL-it kanë nisur verifikimin dhe shqyrtimin e hollësishëm të pretendimeve të tyre. Arben Fagu, drejtor i APRIAL, qendrës ku verifikohen ankesat, bën të ditur se numrit të ankesave të ardhura në këtë institucion për pasaktësitë e të dhënave u shtohet edhe numri i maturantëve që nuk kanë qenë dakord me vlerësimin e tyre. Fagu sqaron se pasaktësitë e verifikuara në llogaritjen e notave, do të korrigjohen dhe ndryshimet e bëra do të publikohen në renditjen e re. Pas përfundimit të kësaj procedure do të bëhet renditja e kandidatëve fitues sipas degëve dhe kuotave në universitetet përkatëse.

Afati

Sipas afateve të përcaktuara nga MASH-i, deri më datën 30 gusht u dorëzuan në APRIAL formularët e korrigjimit të pasaktësive. Bashkë me Librin e Transparencës për maturantët u shpërnda edhe formulari i Korrigjimit të Pasaktësive, i cili është plotësuar nga të rinjtë që kanë pasur ankesa lidhur me vlerësimin që u është bërë atyre për provimet e Maturës Shtetërore. Pas shpalljes së listës së pikëve për maturantët që kanë plotësuar ankesa APRIAL do të nis punën për përfundimin e procesit. Do të jenë disa ditë pune për të saktësuar e përfunduar bazën e të dhënave të të gjithë maturantëve kandidatë për studime në universitete. Vetëm pas saktësimit të bazës së të dhënave, do të futet në punë programi kompjuterik për të përcaktuar fituesit në të gjithë programet e studimit të universiteteve shqiptare. Pas kësaj, APRIAL-i do të përgatisë listat e fituesve për secilin program studimi dhe do t’i shpërndajë ato në formë elektronike në të gjitha universitetet.

Regjistrimet

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka bërë të ditur se kandidatët për në universitet do të njihen me listën rezultateve në shtator.
Të gjithë maturantët që kane kandiduar për ne universitete do te njihen me rezultatet e tyre nëse janë fitues ose jo. Fituesit do të shpallen në mes të shtatorit, pasi në dhjetë ditshin e parë do të ketë konkurse ne Akademinë e Sporteve, ne degën e arkitekturës , si dhe ne Akademinë e Arteve. Sipas rregullores së publikuar nga MASH, regjistrimi i kandidatëve fitues do të kryhet si një vit më parë, në dy faza kryesore: regjistrimi paraprak dhe përfundimtar. Pas shpalljes së listës së fituesve me renditjen fillestare të të gjithë kandidatëve në programet e studimit (degët) përkatëse, ku janë shpallur fitues, bëhet regjistrimi paraprak pranë sekretarive në fakultetet e universiteteve publike. Të gjitha kuotat që do të teprojnë, do të plotësohen nga studentët sipas radhës që kanë në listën më poshtë. Këta studentë do bëhen pjesë e universiteteve duke u regjistruar direkt pa plotësuar formularë. Kjo është procedura që ky institucion ka vendosur të ndjek këtë vit për kuotat bosh në të gjitha universitetet e vendit. Këtë vit, sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit kanë konkurruar për në universitete rreth 30 mijë maturantë, ndërkohë që kuotat e pranimeve janë rritur me 10% më shumë se një vit më parë.

2 Shtator 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›