E Martë, 3 Nëntor 2026

Forumi i Medias Turqi-Ballkan, diskutohet “Qasja e dorës miqësore të Turqisë”

ANKARA, 13 maj/ATSH-AA/ Në kuadër të Forumit të Medias Turqi-Ballkan, organizuar nga Kryesia e Komunikimeve të Presidencës së Turqisë, u zhvillua sesioni me titull “Qasja e dorës miqësore e Turqisë ndaj Ballkanit nga një Perspektivë e Diplomacisë Publike”, raporton Anadolu.

Në forumin i cili filloi me një fjalim drejtuar pjesëmarrësve nga Drejtori i Komunikimit të Presidencës Fahrettin Altun, Drejtori i Përgjithshëm për Ballkanin dhe Evropën Qendrore në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ambasadori Yağmur Ahmet Güldere deklaroi se ata janë mbledhur për të diskutuar mbi sektorin e medias dhe se i kushtojnë rëndësi paqes dhe stabilitetit në Ballkan.

Ai theksoi se prosperiteti i Ballkanit është prosperiteti i Turqisë. “Turqia po kryen punë intensive në Ballkan. Ne mbështesim sovranitetin dhe integritetin territorial të vendeve në rajon dhe mbështesim prodhimin e zgjidhjeve rajonale për problemet rajonale”, tha Güldere.

Güldere vuri në dukje se ata janë në bashkëpunim të ngushtë me Ballkanin në fushat e tregtisë dhe ekonomisë dhe se në vitin 2024 investimet në vendet e rajonit do të arrijnë në 20 miliardë dollarë ndërsa vëllimi i tregtisë së jashtme do të arrijë në 35 miliardë dollarë.

Güldere potencon se Turqia mbështet Forcën Paqësore të NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe Misionin e Forcës Paqësore të Bashkimit Evropian (EUFOR) në Bosnjë dhe Hercegovinë ndërsa shprehu urimin e tij që forumi i medias të përgatisë bazën e punimeve që do të çojnë në zhvillime inovative.

– Theksimi i rolit konstruktiv të Turqisë në rajon

Doç. dr. Jahja Muhasiloviq, lektor në Departamentin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Ndërkombëtar të Sarajevës, në fjalimin e tij në sesionin me titull “Qasja e dorës miqësore të Turqisë ndaj Ballkanit nga një Perspektivë e Diplomacisë Publike” tha se Turqia është fuqi e rëndësishme si në rajon ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.

Ndërsa Alteo Hysi, drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Shqiptare të Medias dhe Informacionit, tha se vendi i tij udhëheq nisma domethënëse në rajon dhe se Shqipëria dhe Turqia kanë ndërtuar bashkëpunim të fortë në shumë fusha, si në të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen.

Ai shtoi se Turqia luan rol konstruktiv në nivel ndërkombëtar dhe në rajon.

Hysi bëri të ditur se Turqia vazhdon në një mënyrë të fuqishme këtë rol konstruktiv midis Rusisë dhe Ukrainës.

Këshilltarja për media e presidentit të Malit të Zi, Milica Marinoviq tha se ata që punojnë në sektorin e medias po përpiqen ta përfaqësojnë vendin e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme në arenën ndërkombëtare. “Mbështetja që ofron Turqia në diplomacinë publike është e rëndësishme për ne. Kryerja e punimeve të përbashkëta dhe pjesëmarrja në nisma të përbashkëta është domethënëse për ne. Edhe ky është një forum i tillë”, tha ajo.

Duke vënë theksin se diplomacia publike është “plan strategjik”, Marinoviq tha se “Turqia ka personalisht shumë përvojë në këtë fushë. Ka shumë fusha të përbashkëta ku mund të punojmë me Turqinë. Ne punojmë në fushën e komunikimit dhe detyra jonë është të kontribuojmë në komunikimin midis njerëzve”.

Gazetarja dhe konsulentja e pavarur e medias nga Serbia, Senka Pavloviq Çotriq tha se marrëdhëniet midis Serbisë dhe Turqisë po përjetojnë “epokën e artë” dhe ndau informacionin se në gjuhën serbe përdoren më shumë se 3 mijë fjalë turke.

Në kuadër të forumit, me pjesëmarrjen e akademikëve dhe përfaqësuesve të medias nga Ballkani do të mbahen edhe sesione me tema si “Media, Komunikimi dhe Informacioni në Epokën Dixhitale: Mundësitë dhe Kërcënimet” dhe “Kriza e së Vërtetës: Lufta kundër Dezinformimit, Lajmeve të Rreme dhe Menaxhimit të Perceptimit”.

/a.f/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›