E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Fotografuan votën, katër të arrestuar në Tiranë

TIRANË, 11 maj /ATSH/ Katër persona janë arrestuar në Tiranë, pasi kanë fotografuar votën.

Policia njoftoi se “shërbimet e policisë në Komisariatin Nr. 1, pas marrjes së njoftimit se një shtetase në shkollën “Ali Demi” kishte fotografuar votën dhe më pas ishte larguar, organizuan punën, identifikuan, shoqëruan dhe arrestuan në flagrancë shtetasen A. H., 56 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Shkelja e fshehtësisë së votimit””.

Në pranga kanë rënë edhe dy shtetas të tjerë nën akuzë për kryerjen e veprës penale “Shkelja e fshehtësisë së votimit’”.

“Nga hetimet rezultoi se shtetasi R.L., më datë 11.05.2025 dyshohet se gjatë votimit ka fotografuar votën në qendrën e votimit 1820/2 në Shkollën ‘Eqerem Çabej’ dhe akuzohet për veprën penale “Shkelja e fshehtësisë së votimit”. Me të njëjtën akuzë u arrestua edhe shtetasi H.D”, njoftoi Prokuroria.

Policia arrestoi po ashtu edhe një 34-vjeçar pasi fotografoi votën dhe e publikoi në rrjetet sociale.

Policia njoftoi se “specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Nr. 2, pas shfaqjes së një postimi në një portal ku një shtetas kishte publikuar fotografimin e fletës së votimit, organizuan punën, identifikuan, lokalizuan dhe arrestuan shtetasin R. F., 34 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Shkelja e fshehtësisë së votimit””.

Sipas policisë “nga kryerja e veprimeve hetimore dhe procedurale ka rezultuar se ky shtetas ditën e sotme, ka fotografuar fletën e votimit, dhe më pas e ka publikuar në rrjetet sociale”.

Policia e Tiranës apelon për respektim të rregullave të votimit pasi çdo veprim që cenon fshehtësinë dhe integritetin e votës përbën shkelje të ligjit dhe do të trajtohet me rigorozitet të plotë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›