Gonzato në Durrës: Ecuria e zgjedhjeve, e rëndësishme për anëtarësimin në BE

TIRANË, 11 maj/ATSH/ Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, vëzhgoi sot nga afër procesin zgjedhor në një qendër votimi në qarkun e Durrësit.
Në një prononcim për mediet, Gonzato theksoi se “nuk donim të shihnim zgjedhjet vetëm në kryeqytet. Do të donim të shihnim si po ecën procesi zgjedhor dhe në vende të tjera të Shqipërisë. Kam dhe kolegë të mi nga shtetet anëtare të BE-së që kanë dalë për të vëzhguar. Arsyeja përse e bëjmë këtë gjë, nuk është s’kemi besim te OSBE/ODIHR, sepse ata po bëjnë një punë shumë të mirë vërtetë, por duam që edhe ne të kemi përvojën tonë, ta shikojmë gjënë nga afër të shikojmë mendimet që kanë vetë qytetarët, perceptimet e tyre si po ecën procesi në përgjithësi”.
Gonzato tha se mënyra si do të shkojnë zgjedhjet është e rëndësishme edhe për anëtarësimin në BE.
“Kjo për arsye se këto janë zgjedhjet e para që po organizohen në Shqipëri pas çeljes së negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së. Në fakt negociatat kanë filluar me grup kapitullin e parë që ka të bëjë me sundimin e ligjit, standardet demokratike dhe të drejtat e njeriut. Zgjedhjet, mënyra si do të organizohen si do të shkojnë janë shumë të rëndësishme edhe për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE”, nënvizoi Gonzato.
“Dita e zgjedhjeve është vetëm një pjesë e procesit sepse kemi pasur fushatën zgjedhore më parë, është vetë dita e zgjedhjeve dhe më pas e gjithë pjesa pas votimit. Të gjitha këto janë shumë të rëndësishme për të parë se si do të jetë ecuria. Ne bëjmë një analizë që me shumë kërshëri e kureshtje po presim se cilat do të jenë gjetjet dhe rekomandimet që do të bëjë misioni vëzhgues i OSBE-ODIHR”, theksoi Gonzato.
Më tej Gonazto u shpreh se “nuk do të bëj ndonjë prononcim për mënyrën e zgjedhjeve sepse do të presim të gjitha gjetjet që do të ketë ODIHR sepse ata kanë një grup tejet të madh të shpërndarë në të gjithë Shqipërinë që do të bëjë vëzhgimin e zgjedhjeve”.
/k.s/ /a.g/